Sindikata e Policisë kërkon që t’u mbulohen shpenzimet policëve që u aksidentuan dje

Sindikata e Policisë së Kosovës u ka uruar shërim të shpejtë zyrtarëve policorë të lënduar nga vetaksidenti në Grabovc të Zveçanit.

Në reagimin e lëshuar për media thuhet se Sindikata bën thirrje urgjente drejtuar të gjithë akterëve shtetërorë për të siguruar mbulimin shëndetësor për punonjësit e Policisë së Kosovës.

“Sindikata i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të ndërmerren masa të menjëhershme për sigurimin e mbështetjes shëndetësore për policët. Kjo kërkesë vjen si pasojë e një vetaksidenti të fundit, ku një automjet policor pësoi aksident, duke lënë të lënduar tetë zyrtarë policorë. Ngjarje të tilla, që po përsëriten shpesh, theksojnë mungesën e një mbulimi të duhur shëndetësor për ata që çdo ditë përballen me rreziqe të larta në shërbim të vendit”.

“Sindikata thekson se sigurimi i mbështetjes së plotë shëndetësore për policët është urgjente dhe e domosdoshme, jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për garantimin e efikasitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në reagim.

Ndër tjera, kjo sindikatë shton se çështja e sigurimit shëndetësor për policët është ngritur prej kohësh, por deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të ofrojnë një zgjidhje konkrete.

“Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të angazhohet për të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve të saj, duke kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që t’i japin kësaj çështjeje prioritetin që meriton”.

Nga vetiaksidenti i mbrëmshëm janë lënduar tetë zyrtarë policorë, pesë prej tyre janë liruar në shtëpi dhe tre të tjerë po marrin tretman mjekësor në QKUK. /Klankosova.tv