Shtrenjtohet sërish nafta, a po ndodh kjo ngritje për bashkatdhetarët?

Çmimet mesatare të derivateve në vendin tonë sërish kanë shënuar rritje ditëve të fundit rreth 5 centë për litër. Këtë shtrenjtim të çmimeve të derivateve nuk e kanë mirëpritur qytetarët e hiç më pak edhe taksitë.

Derisa nga Shoqata e Naftëtarëve këtë ngritje e arsyetojnë me rritjen e çmimeve në bursat ndërkombëtare.

Ndërkaq, kryetari i kësaj shoqate ka mohuar të ketë rritje të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ardhjes së bashkatdhetarëve për festat e fundvitit, raporton kosovapress.

Në tregun e Kosovës një litër naftë sillet nga 1. 20 euro-centë deri në 1. 29 euro-centë, ndërsa benzina prej 1. 22 euro-centë deri 1. 28 euro-centë.

Qytetari Ismet Luta thotë se bazuar në të ardhurat mujore, çmimet janë të larta për derivatet. Përveç kësaj, ai shprehet i shqetësuar se rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare po reflektohet në mënyrë të ngadalshme në tregun tonë.

Ndërsa, Naser Hyseni i cili punon auto-taksi thotë se çmimi i derivateve ka shënuar shumë ngritje krahasuar me periudhën e më hershme.

Si pasojë e këtyre çmimeve dhe rënies së punës, Hyseni thotë se fitimi është i vogël nga puna e tij ditore. Sipas tij, litri i naftës në Kosovë do të duhej të ishte rreth 0. 70 centë.

Edhe Fuad Daci potencon se kohëve të fundit ka vërejtur rritje të çmimeve të derivateve.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani pranon se ka një rritje të çmimeve të derivateve, të cilën e quan “ngritje të lehtë”.

Pavarësisht kësaj, Berjani thekson se çmimet në Kosovë janë më lirë se në regjion, duke përjashtuar Maqedoninë e Veriut për të cilën thotë se ka akcizë më të ulët se shteti ynë.

Më tej ai ka thënë se kjo rritje nuk ka të bëjë me ardhjen e mërgimtarëve, por siç thekson ai çmimin e karburanteve e përcakton bursa ndërkombëtare dhe organizata prodhuese OPEC.

Fadil Berjani ka shtuar se mërgimtarët nuk duhet të ankohen për çmimet e naftës, pasi që sipas tij, në shtetet evropiane “ata paguajnë më shumë për derivate”.

Shtrenjtimi i karburanteve ndikon jo vetëm në xhepat e qytetarëve, por edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Po ashtu çmimi i karburanteve është një faktor kyç që ndikon në shpenzimet e tyre mujore.