Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për parregullsitë në procesin e rekrutimit për pozitat Drejtorë të Bordit të Ndërmarrjes Publike Qendrore, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), raporton Demokracia.com.
Në një deklaratë për media, CorrWatch njofton se gjatë monitorimit të fazës së verifikimit të aplikacioneve, ka identifikuar se pesë kandidatë janë përfshirë në listën e ngushtë nga Komisioni Rekomandues dhe janë ftuar për intervistë, ndonëse nuk kanë plotësuar kriteret ligjore të përcaktuara nga Ligji për Ndërmarrjet Publike.
Sipas CorrWatch:
- Katër kandidatë nuk kanë përvojën e kërkuar në nivel të lartë të menaxhmentit.
- Një kandidat, i cili tashmë është tërhequr nga procesi, nuk ka dorëzuar letërnjoftimin valid, siç kërkohet në konkursin e shpallur nga Zyra e Kryeministrit (ZKM).
Në konkurs ishte theksuar qartë se “Aplikacionet e pakompletuara nuk do të shqyrtohen.” Pavarësisht kësaj, Komisioni Rekomandues ka vazhduar me intervistimin e kandidatëve dhe ka rekomanduar Qeverisë një listë prej 13 kandidatëve, nga të cilët 3 nuk kanë plotësuar kriteret ligjore.
CorrWatch e cilëson përfshirjen e kandidatëve të papërmbushur të kritereve si shkelje të ligjit dhe një hapësirë për dyshime për favorizime. Organizata thekson se një proces i tillë cenon integritetin dhe transparencën e institucioneve publike.
CorrWatch i bën thirrje ZKM-së dhe Komisionit Rekomandues që të përjashtojnë tre kandidatët e papërmbushur të kritereve nga lista e ngushtë dhe të rikthejnë ligjshmërinë në procesin e rekrutimit. Organizata rikujton rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë, transparent dhe të paanshëm, si kusht themelor për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike.
CorrWatch mbetet e përkushtuar për të monitoruar procesin dhe për të denoncuar çdo parregullsi që dëmton integritetin e institucioneve publike.

