Beogradi sot u bë vend mysafir për Donald Trump Jr., djalin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili fillim e mbarim foli për projekte konkrete bashkëpunimi. Derisa qeveria serbe po i vë pikat e fundit mbi Marrëveshjen për Bashkëpunim Strategjik me ShBA-në në fushën e energjisë, qeveria në largim e kryeministrit Kurti nuk ka përgjigjje pse marrëdhëniet me aleatin kryesor u katandisën në nivelet më të ulëta.
Col Mehmeti
Protestat e brendshme dhe tensionet në rritje në Bosnjë nuk duket se po i bëjnë farë pengese Serbisë që të nënshkruajë marrëveshje të leverdisshme.
Një hap më tepër në avancimin e marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara është edhe drafti për Marrëveshjen mes Qeverisë serbe dhe Washingtonit për sa i përket bashkëpunimit strategjik në lëmin e energjisë.
Siç përcjellin mediet në vendin fqinj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Financave, Sinisha Mali, ka thënë se marrëdhëniet me amerikanët do të përmirësohen edhe më tej.
Bashkëpunim strategjik për energjinë
Në fjalimin e tij në Kuvendin e Serbisë, ai ka thënë se marrëveshja për bashkëpunim strategjik do ta përmirësojë bashkëpunimin me Amerikën në fushën e energjisë.
“Të kesh siguri energjetike është shtyllë për të siguruar rritje të mëtejme dhe zhvillim të ekonomisë sonë”, ka thënë Mali gjatë debatit parlamentar për nenet 33 dhe 55 të draft ligjit për konfirmimin e marrëveshjes strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Vuçiqi me Donald Trump Jr: “Kemi projekte të përbashkëta”
Shprehje e kësaj afrie ishte edhe takimi i sotëm në Beograd mes presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe Donald Trump Jr, që është djali i presidentit amerikan, Donald Trump.
“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme”, ka njoftuar Vuçiqi në rrjetet sociale.
Kjo afri me njerëzit më të fuqishëm në administratën e re në Washington kontraston me të madhe me marrëdhënien tashmë të shkatërruar mes ShBA dhe qeverisë Kurti.
Në fillim të shkurtit, djali i Trumpit përmes llogarisë së tij në platformën ‘X’ shpërndau një shkrim të diplomatit, Richard Grenell, i cili e përgënjeshtronte Kurtin se marrëdhëniet me Amerikën janë në ditët e tyre më të mira.
Serbia ia ‘vodhi’ miqtë e aleatët Kosovës
Derisa pesë vite të qeverisjes së Vetëvendosjes kaluan në armiqësi të pandërprerë me administratën e Bidenit, Serbia është përkujdesur që këtë rrethanë ta kthejë në dobi të saj.
Në një shtjellim të paradokohshëm, NACIONALE ka pasqyruar tablonë e re gjeopolitike ku Serbia, falë diplomacisë së pamençur të Kurtit, i ka kthyer në miq e aleatë të gjitha vendet që Kosova i ktheu në armike.
Marrëveshja për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë, e nënshkruar në shtator të vitit të kaluar, nuk ka qenë e vetmja në shërbim të thellimit të marrëdhënieve amerikano-serbe.
Ky partneritet nuk qe zbehur as nga fakti që Washingtoni vuri sanksione ndaj kompanisë serbe të naftës NIS, në të cilën hisen kryesore të pronësisë e ka kompania ruse Gazprom Neft.
Këto sanksione ishin pjesë e një varg masash amerikane që shënjestronin sektorin energjetik rus.
Lulëzim investimesh e bashkëpunimi ekonomik
Edhe përtej nivelit politik, marrëdhëniet tregtare mes Amerikës dhe Serbisë vlerësohen tejet të dendura.
ShBA siguron tregje të mira për eksporte serbe që përfshijnë automobilat Fiat të prodhuar në Kragujevc, ashtu sikurse edhe për dredhëzat meqë Serbia e mban rekordin e të qenit eksportuesi më i madh i tyre në botë.
Së paku deri më 2023, më shumë se 250 kompani amerikane janë të pranishme në Serbi me një numër prej 112 mijë të punësuarish.
Gjithashtu, ndër kompanitë e njohura amerikane që tashmë kanë bërë investime në Serbi janë Coca-Cola, PepsiCo, Philip Morris, Molson Coors, Archer Daniels Midland, Goodyear dhe Ball.