Selmanaj kërkon rinumërim në Kosovë e rivotim në diasporë

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të bëhet rinumërimi i votave në gjithë Kosovën, përsëritja e votimit të mërgatës, si në përfaqësitë diplomatike ashtu edhe votimi përmes postë.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se kjo duhet të bëhet për shkak se sipas tij, votat në Qendrat Komunale të Numërimit, nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe “rrjedhimisht rezultatet nuk e pasqyrojnë vullnetin e votuesve që kanë marrë pjesë në votime”.

“Edhe më keq është situata me votat e mërgatës. Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës, kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike”.

Ndër tjera, Selmanaj theksoi se KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta rikthejnë rregullsinë e procesit dhe abuzuesit të marrin dënimin e merituar.

“Vota e secilit qytetarë është e shenjtë dhe të gjithë pa përjashtim duhet të angazhohemi që ato të mbrohen me çdo kusht. Mbrojta e rregullsisë së procesit ku përmes votës shprehet vullneti politik i qytetarëve tanë, është misioni më PATRIOTIK që sot mund t’i bëjmë vendit tonë. Pa asnjë dyshim Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheqë këtë mision!”, ka thënë Selmanaj.