Lëvizja Vetëvendosje – partia e cila doli e para nga Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit – ka thënë se ka evidentuar parregullsi të shumta në votimin e mërgatës përmes postës.
Sekretari Organizativ i LVV-së, Alim Rama, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka vlerësuar se te votat e mërgatës përmes postës është evidentuar një rritje artificiale për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në shpërputhje “të thellë me rezultatet në Kosovë dhe me ato në përfaqësitë diplomatike”
“Parregullsitë pikësëpari kanë të bëjnë me rritjen artificiale të LDK-së me mbi 400 për qind krahasuar me votimin në përfaqësi diplomatike, por ato bëhen edhe më serioze kur analizohen votat për kandidatin e kësaj partie, Hysen Çekaj, si dhe të disa kandidatëve tjerë. Derisa në Kosovë ai ka marrë 11 mijë 268 vota dhe vetëm 98 nga votimi në ambasada, pas numërimit të votave me postë ai renditet si kandidati i tretë më i votuar, me plot 12 mijë vota deri tash”, ka shkruar ai.
Sipas Ramës votimi për Çekajn dhe të tjerët është i kurdisur dhe i manipuluar nga një grup i organizuar.
“Në këto fletëvotime dallohet qartë një shabllon i përsëritur: votat shkojnë për kandidatët me numër Lumir Abdixhiku 1, Kujtim Shala 2, Doarsa Kica Xhelili 3, Hysen Çekaj 80, ndërsa më pas kandidatëve të tjerë si: Bahrije Hyseni 99, Alban Zogaj 22, Gazmend Muhaxheri 5, Jeta Rafuna Hasani 45, dhe Fatmir Asllani 61. Kjo shpërputhje e votave bëhet edhe më e dukshme kur shikohet dallimi mes votave të LDK-së në komuna të caktuara, siç është rasti i komunës së Skenderajt, ku numri i votave përmes postës nga mërgata 497 e tejkalon numrin e votave të marra në Kosovë 419”, ka shpjeguar ai.
