“S’dorëzohem”- Mesazhi i kryebashkiakut të Stambollit kur policët i rrethuan banesën

Autoritetet turke zhvilluan mëngjesin e kësaj të mërkure një operacion të madh policor, i cili përfshiu rreth 3,000 forca të rendit dhe kishte si synim arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Operacioni u zhvillua pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion dhe lidhje të dyshuara me organizatën e shpallur terroriste, PKK.

Sipas mediave turke, në kuadër të hetimeve janë lëshuar urdhër-arreste për mbi 100 persona, duke përfshirë disa bashkëpunëtorë të afërt të Imamoglu. Në një deklaratë të zyrës së Prokurorisë së Stambollit, thuhet se mes të ndaluarve janë edhe zyrtarët Murat Ongun, Tuncay Yilmaz, Fatih Keles dhe Ertan Yildiz. Hetimet janë fokusuar në aktivitetet e kompanisë Medya AS dhe projektin “Urban Consensus”, për të cilat hetuesit dyshojnë se ka shkelje korruptive.

Në një video të publikuar nga rezidenca e tij pak para arrestimit, Imamoglu u shpreh i vendosur për të mos u dorëzuar dhe e cilësoi operacionin si një përpjekje të qeverisë për të shtypur opozitën. “Një grup njerëzish po përpiqen të përmbysin vullnetin e kombit tonë, duke dërguar qindra policë në shtëpinë time. Dua të bëj të qartë se nuk do të dorëzohem. Besimin tim e kam te kombi,” deklaroi ai.

Pamjet televizive nga mediat turke treguan prani të lartë policore përreth banesës së Imamoglu, si dhe dhjetëra automjete të rendit në zonë. Ndërkohë, zëdhënësi i tij, Murat Ongun, konfirmoi arrestimin e tij përmes një postimi në rrjetet sociale. “Jam në paraburgim. Ata besojnë se mund të na heshtin, por ne do të vazhdojmë të mbrojmë dhe mbështesim Imamoglu. Kombi është me të,” shkroi ai.

Ngjarja vjen në një moment kritik politik për Turqinë, pasi Imamoglu kishte shprehur ambicien për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, duke u pozicionuar si një prej figurave kryesore të opozitës kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Në reagim të parë, kreu i Partisë Republikane Popullore (CHP), Özgür Özel, e cilësoi arrestimin e Imamoglu si një “grusht shteti” kundër demokracisë.

 

“Kur pushteti tenton të zëvendësojë vullnetin e popullit apo të përdorë forcën për ta ndalur atë, ky është një grusht shteti. Populli është sovran dhe ai do të fitojë,” deklaroi ai.