Sassuolo siguron ngjitjen në Serie A pesë ndeshje para përfundimit të kampionatit

Sassuolo ka siguruar ngjitjen në Serie A vetëm një sezon pas rënies nga elita e futbollit italian, duke prerë biletën teksa kanë mbetur edhe pesë ndeshje para përfundimit të kampionatit.

Klubi italian ka qenë një shtyllë në elitën e futbollit italian për dekadën e fundit dhe ajo seri 11-vjeçare mori fund me rënien e tyre nga liga verën e kaluar.

Sidoqoftë, kjo nuk zgjati edhe aq shumë, pasi ata tashmë kanë bërë mjaftueshëm për të siguruar ngjitjen në Serie A për sezonin 2025/2026.

Trajneri Fabio Grosso dhe djelmoshat e tij ishin në gjendje ta festojnë rikthimin në elitë, teksa kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur.

Ata kanë qenë në krye të tabelës praktikisht që nga fillimi i kampionatit, duke arritur të fitojnë 75 pikë nga 33 ndeshje, falë 23 fitoreve, gjashtë barazimeve dhe katër disfatave.

Sassuolo ka gjithashtu sulmin më të mirë në Serie B me 73 gola të shënuar dhe 34 ë pësuar.

Ekipi i vetëm i cili mund ta ndalojë potencialisht Sassuolon për ta fituar titullin në Serie B është Pisa, por ka një diferencë prej nëntë pikësh mes dy skuadrave.