Rudari: Në Hagë ka dëshmitarë që s’dihet kush janë e as nga vijnë, mund të ndikojnë në vendime të gjykatës

Avokati Naim Rudari ka folur për mundësitë që po zgjatet procesi gjyqësor në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Rudari tha se në Hagë ka dëshmitarë të mbrojtur që s’dihet as kush janë dhe as nga vijnë, e që sipas tij, një vendim i Gjykatës Speciale mund të bazohet në dëshmi të tilla.

“Ne e dimë edhe një rrethanë çfarë ka ndodhur atje, ku Senatori Dick Marty, ka zbuluar vet se shërbimet sekrete serbe kanë tentuar ta vrasin të njëjtin, eventualisht me pretendime që të plasohej në publik se ‘janë shqiptarët ata që e likuiduan Dick Martyn’ vetëm pse kinse ai ka qenë iniciatori i formimit të kësaj gjykate”.

“Për ne, nuk lë asnjë interesi që ta paraqesim në Këshillin e Sigurimit se çfarë ndodhë dhe të merremi me këtë çështje. Sikur ta kishte Serbia të njëjtën kartë në dorë, do të bënte çmos që Kosovën ta paraqiste para faktorit ndërkombëtar në pozitat më të pa favorshme, por neve nuk na lë përshtypje kjo”, tha Rudari në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

Më tej, Rudari tha se Gjykata Speciale në Kosovë po përdoret edhe për inate politike, ku sipas tij, dikush po i gëzohet shumë kësaj fatkeqësie.

“Patjetër që po përdoret edhe për inate politike, gjithçka duket që është politike. Dikush i gëzohet shumë kësaj fatkeqësie dhe po i bie se faturat e lirisë dhe të luftës t’i paguajnë personat e njëjtë”, tha ai.