Në muajin janar të këtij viti ka shënuar rritje numri i përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin janar 2025, ka rritje të numrit të përfituesve nga skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara me 17.7 për qind, skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë me 11.6 për qind, skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike me 8.3 për qind.
Po ashtu gjatë kësaj periudhe, rritje të numrit ka shënuar edhe skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 me 4,7 për qind, skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) me 3,9 për qind, skema e pensioneve bazike të moshës me 3,8 për qind dhe skema për veteranët e luftës 0,2 për qind.
Ndërsa, sipas ASK-së rënie e përfituesve nga skemat e pensioneve në janar 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit më parë janë skemat për pensionet e Trepçës, skema për pensionet invalidore, skema e ndihmës sociale, si dhe skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës.
“Në muajin janar 2025, krahasuar me muajin janar 2024, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet e Trepçës me 20,5 për qind, skema për pensionet invalidore me 17 për qind, skema e ndihmës sociale me 11,4 për qind, skema për pensionet familjare me 6,3 për qind, skema e kompensimeve për personat e verbër me 3,1 për qind, skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës me 1,8 për qind; skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara me 1,3 për qind dhe skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës me 1,2 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërsa, në muajin dhjetor të vitit 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023 kishte rritje të numrit të përfituesve nga skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara me 14.5 për qind, skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë me 11. 9 për qind, skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 me 5.1 për qind.
Pensionistët nga muaji tetor i vitit 2024 marrin pensionet e tyre me rritje 20 për qind, sikur edhe veterantë luftës nga muaji janar i këtij vitit që gëzojnë këtë rritje prej 20%.
Shih në tabelën e ASK-së për numrin e përfituesve nga skemat e pensioneve në janar 2025 dhe për janar 2024:
