Rasti “Grandi”, Qeveria ndan 6.74 milionë euro për përmbushjen e obligimit ndaj “Mabco Constructions”

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, ku ka miratuar disa vendime, përfshirë ndarjen e mjeteve financiare për të përmbushur një obligim arbitrazhi ndaj kompanisë “Mabco Constructions” të Behgjet Pacollit, i njohur si rasti “Grand”.

Sipas vendimit të miratuar, shuma e ndarë për këtë rast arrin në 6.74 milionë euro.

Nga kjo shumë, mbi 5.3 milionë euro do të përdoren për dëmshpërblim dhe kamatë, rreth 368 mijë euro dhe 33 mijë franga zvicerane për mbulimin e kostove të përfaqësimit, ndërsa mbi 1.1 milionë dollarë do të shkojnë për shpenzimet e arbitrazhit.

“Aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumën prej 6,740,000.00 Euro, për përmbushjen e detyrimit sipas vendimit të arbitrazhit për rastin ICSID Case No. ARB/17/25, Mabco Constructions, për pagesën si në vijim:

1.1 5,311,560.05 euro në emër të dëmshpërblimit dhe kamatës (paragrafi 371 dhe 372);

1.2 367,944.00 euro dhe 33,073.50 CHF në emër të kostos së përfaqësimit (paragrafi 373);

1.3 1,104,312.20 USD në emër të kostos së arbitrazhit (paragrafi 374).” – thuhet mes tjerash në vendim.

Postimi i Pacollit pas vendimit të Arbitrazhit:

Më në fund, kompania ime **Mabco Construction Int.** ka fituar drejtësisht arbitrazhin ndërkombëtarë i organizuar nga dhoma e posaqme e Bankës botërore në Washington për rastin e Grandit, ndaj Shtetit të Kosovës.
Vendimi parashikon që Qeveria e Kosovës duhet:

1. **Të rikthejë shumën e paguar nga Mabco**
për objektin që, për shkak të refuzimit për të paguar haraç, nuk iu njoh kurrë e drejta e pronësisë, megjithëse pagesen Qeveria e kishte inkasuar në kohë (në vitin 2006).
Ky triumf në arbitrazhin ndërkombëtar është një sinjal i qartë se
**“E drejta vonohet, por gjithmonë del në dritë”**.
Disa mesazhe të rëndësishme që sjell ky vendim janë:

a) **Çfarë nuk është, kurrë nuk mund të bëhet e jotja!**

b) **Një sinjal tjetër i qartë është nevoja për një sistem drejtësie të paanshëm dhe funksional**, që garanton të drejtat e investitorëve dhe i mbron ata.
Vetëm në një sistem dinjitoz investitorët mund të kenë besim për të investuar në vend.
Unë gjithmonë kam refuzuar çdo gjë që nuk më përkiste, por kam mbrojtur atë që është e imja.

c) **Vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar, është një obligim për Qeverinë që të kthejë shumën që Mabco e pagoi në vitin 2006 në llogarinë e shtetit.
Në këmbim, Qeveria kishte ofruar asgjë dhe duke refuzuar njohjen e Mabco si aksionare në objektin e blerë, ndonëse marrëveshja ishte e qartë dhe Qeveria e Kosovës ishte dy herë e informuar per këtë.

d) Ky vendim nxjerr në pah poashtu edhe tentativat për mashtrim të Zylqif Berishës, i cili, me skenarët dhe njerëzit e tij të “fortë”, për 18 vite më ka shkaktuar shumë kokëçarje.
Por, në fund, drejtësia triumfoi e Berisha per shkak të lakmive të tij sot mundet me e pa Hotelin Grand vetem nga distanca.
Po të kishte qenë korrekt Zylqif Berisha , sot Hoteli Grand do të ishte një perl e ai do të ishte pronar, si në marvrshje i 40%.