Qytetarët kundër gjuhës së ashpër në fushatë: Kurti po bërtet shumë

Qytetarët e Kosovës kanë shprehur shqetësimin për përdorimin e gjuhës së ashpër nëpër tubimet zgjedhore nga subjektet politike.

Sipas tyre, kjo nuk duhet të bëhet nga njerëz të shkolluar e që mbajnë pozita në shtet. Ata thonë se partia në pushtet po përdorë gjuhë vulgare në takimet zgjedhore, ngase sipas tyre “po mendojnë t’i përfitojnë votuesit më herët”.

E disa të tjerë u shprehën se shkak i përdorimit të disa fjalëve të caktuara duke iu referuar opozitës, pozita po i bënë ngase po frikësohet se nuk do ta arrijë 51 për qindëshin, siç po e përmendin.

Qytetari Hamdi Haliti e quajti shprehje banale fjalën “zuzarë” të përdorur nga kryeministri Albin Kurti në tubimin e mbajtur në Mitrovicë. Përveç kësaj, ai tha se nuk u beson premtimeve të partive politike gjatë fushatës.

Sherif Kabashi vlerëson se përdorimi i gjuhës së ashpër nga kryeministri po bëhet ‘sepse ndoshta po frikësohet”.

“Kohën e fundit Albini po bërtet pak më shumë, ndoshta po frikësohet, që nuk mund t’i bëjë 51 për qind. Partia e parë do të dal, por 51 për qind nuk do t’i bënë…Fushata mirë po shkon, mbarë. Fjalorin po e përdorin mirë të gjithë, por Kurti po bërtet pak më shumë, po iu thotë ‘dallavergjinjë’, po iu me fjalët më të vështira. Si t’i flet fjalët më të vështira, ose frikësohet për diçka ose mendon që do të fitojë 70 për qind siç ka thënë. Këtë vit jo. Sa për qind pret që ‘ti fitojë këtë vit? 35-37 se ka premtuar shumë e s’ka bërë asgjë. Në Veri mirë që ka bërë shumë, por këndej nuk ka bërë asgjë, as nuk ka ndërtuar autostradë. 60 çerdhe ka thënë në Prishtinë i ka ndërtu 4-5. Asfalt hiç, asgjë, vjedhje, kolegët e tij kanë vjedhur sa kanë mundur”, u shpreh Kabashi.

Edhe Sherif Vrajolli thotë se fushata ka filluar mirë dhe qetë, porse shprehet se po e pengon se kryeministri Kurti po merret me shprehje banale.

Musli Haxholli thotë se në vend të gjuhës së vrazhdë, partitë politike duhet t’i paraqesin planprogramet dhe t’i lënë votuesit të zgjedhin subjektin që duan ta shohin në parlament.

Sipas tij, fushata ka nisur qetë porse me afrimin e zgjedhjeve do të ndryshojë.

Më 11 janar ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Në garë janë 28 subjekte politike dhe 1280 kandidatë për deputetët të cerfikuar nga KQZ-ja.

Subjektet politike çdo ditë po mbajnë tubimet zgjedhore nëpër qytetet të ndryshme të Kosovës.