Në një “maskaradë” të llojit të vet, Lëvizja Vetëvendosje me ose pa vetëdije e legjitimoi Listën Serbe. Ishin dy anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, që propozuan pa asnjë referencë ligjore, pa ndonjë ndërmarrje serioze ligjore që ta përjashtojnë Listën Serbe nga Zgjedhjet e 9 shkurtit.
Të vetëdijshëm që ky vendim do të binte në filtrin e parë juridik, ata i dhezën militantët e tyre, në krye me zëdhënësin Arlind Manxhuka e deputetë që s’ia thonë ligjit si Dimal Basha.
S’shkoi as 48 orë për të parë dëmet e këtij vendimi, e dorëzimin e Vetëvendosjes para organeve kompetente. Ishte Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi që ka bërë me dije se nuk do të ankohen në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP rreth certifikimit të Listës Serbe.
Kurteshi në “Rtv 21” citohet të ketë thënë se kjo do të ishte e kotë, pasi edhe “Gjykata do të vendoste në favor të Listës Serbe me arsyetimin e njëjtë”.
Tutje, zyrtari i VV-së ka shtuar se kurdo që të jetë në rend dite certifikimi, do të votojnë sërish kundër.
“Unë mendoj se nuk ka ndonjë kuptim me u anku në Gjykatë Supreme sepse edhe ata do të kenë të njëjtin arsyetim, kështu që ne do të mbajmë qëndrimintonë, kemi bindjet tona. Vendimi i PZAP-së është i punuar sipas atij parimi “me letra krejt në rregull”
“Kemi një varg faktesh dhe dëshmi që Lista Serbe është pjesë e organziatave tërroriste, kanë bërë veprime terroriste dhe vazhdojnë të bëjnë.” – citohet se ka thënë ai.
Anëtari tjetër Alban Krasniqi në mbledhjen e kësaj të enjte në KQZ ofendoi të gjithë ata që ia dekonstruktuan “hilen” me vendimin e mëparshëm, por pa thënë se do ta mbrojnë vendimin, e se Lista Serbe s’do të jetë në zgjedhjet e 9 shkurit.
Pra, pushteti u dorëzua, e nuk diti ose nuk deshi që Lista Serbe të mbetet jashtë.
Pzap rrëzoi vendimin
Pas vendimit të PZAP-së, ka reaguar KQZ-ja.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka treguar procedurën e mëtutjeshme.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën Nacionale.
Veprimi i PZAP-së është vlerësuar si i pritshëm nga njohësit e rrethanave politike.
Analisti Albert Krasniqi ka vlerësuar se LVV-ja është dashur ta dijë se ndalimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje nuk mund të bëhet me një audio-incizim të Sami Kurteshit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se ndalimi i partive politike për të marrë pjesë në zgjedhje bëhet vetëm me vendim të gjykatave.
“Vetëvendosje është dashur ta dijë se ndalimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje nuk mund të bëhet me një audio-incizim të Sami Kurteshit që e lëshon nga telefoni në një mbledhje të KQZ-së. Partitë politike mund të ndalohen nga pjesëmarrja në zgjedhje vetëm përmes vendimeve të gjykatave, kur të dëshmohen lidhjet e tyre (jo të individëve) me pjesëmarrje në akte terroriste. VV, duke pasur kontroll të plotë mbi institucionet e shtetit, ka pasur mundësinë ta bëjë këtë nëse do ta kishte seriozisht”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thekuar se veprimet e tilla e dëmtojnë rëndë sovranitetin e Kosovës.
“Përdorimi i këtyre rasteve për qëllime të fushatës zgjedhore vetëm sa e forcon argumentin e Serbisë dhe rrit frikën e ndërkombëtarëve se Kosova nuk është e aftë të mbrojë të drejtat e pakicave etnike. Ky është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet Kosovës dhe sovranitetit të saj”, ka shkruar Krasniqi.
Çka thuhet në vendimin e PZAP-së?
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dje e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Listës Serbe, e cila nuk ishte certifikuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në një vendim që e ka parë Nacionale, dhe i cili mban datën e ditës së sotme, thuhet se “Anulohet njoftimi i KQZ, i datës 23.12.2024”.
Po ashtu, PZAP ka urdhëruar KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët saj.
“APROVOHET e bazuar ankesa e subjektit politik Lista Srpska, me seli në Komunën e Mitrovicës së Veriut. II. ANULOHET Njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i datës 23.12.2024, URDHËROHET Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ta certifikon subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatëve të këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për Zgjedhje për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen me datën 09 shkurt 2025″ – thuhet në vendim.
Ndërkohë, në vendim, PZAP ka treguar edhe arsyetimin për marrjen e këtij vendimi, ku thuhet:
“Me datë 24.12.2024 PZAP-i ka pranuar ankesën e parashtruar nga subjektit politik Lista Srpska me seli në Mitrovicë të Veriut, me të cilën theksohet se subjekti politik Lista Srpska brenda afatit të paraparë me ligj ka dorëzuar aplikacionin përmes platformës online, përmes llogarisë së saj të përdoruesit në Zyrën për Regjistrim, Konfirmim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (KRPFKPS) për konfirmimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në ankesë është theksuar se më datë 22.12.2024, Zyra për Regjistrimin, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (KRPFKPS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë një rekomandim në të cilin thuhet se subjekti politik Lista Srpska ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku në pikën një (1) të rekomandimit, theksohet se në përputhje me rregullën zgjedhore numër 04/2004 për konfirmimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, subjekti politik Lista Srpska ka përmbushur detyrimet e parapara me ligj duke dorëzuar dokumentacionin në vijim “1.1. deklaratë politike” dhe “1.2. listë i kandidatëve me 48 kandidatë me formularë dhe aplikime për secilin prej kandidatëve” duke theksuar se lista përmban tridhjetë e dy (32) kandidatë meshkuj ose (67)% dhe gjashtëmbëdhjetë (16) kandidate femra ose (33)%…”