QKUK s’pranon se stafi teknik hedh mbeturina spitalore në kontejnerë

Shiringa, gjilpëra, ambalazh e sisteme të infuzioneve, mantela njëpërdorimëshe, e shumëçka tjetër.

Të gjitha këto mbeturina medicinale, Kiksi i pa të jenë hedhur në kontejnerë të zakonshëm në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Përmes postës elektronike, nga QKUK e kanë mohuar këtë duke thënë se hedhja e tyre klasifikohet dhe se placentat përmes kontraktorit merren dhe varrosen tek Varrezat e Prishtinës, nën monitorimin e inspektoratit të ambientit, raporton Kiks Kosova.

Ndryshe nga QKUK-ja, kompania “Pastrimi” ka thënë se janë në dijeni për këtë dukuri duke e pohuar hedhjen e mbetjeve spitalore në kontejnerë të zakonshëm.

Neglizhencë të stafit mjekësor e kanë quajtur njohësit e fushës, pasi jo vetëm mbeturinat medicinale, por edhe ato patologjike përfundojnë në kontejnerë.

Gazetari i Shëndetësisë, Bujar Vitia tregon se sa lehtë është të hasësh në shporta të plehrave, inde të njerëzve, e barna që përdoren për trajtimin e kancerit.

Kiksi, për trajtimin e mbeturinave medicinale/patologjike i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Shëndetësisë, por deri në momentin kur po transmetohet kjo storje, nuk ka marrë përgjigje nga ta. /Klankosova.tv