Radiotelevizioni i Kosovës po vazhdon të rritë diktatin mbi gazetarët dhe moderatorët.
Së fundmi, menaxhmenti i transmetuesit publik ka vendosur që gazetarëve dhe moderatorëve, t’ua ndalojë reklamimin nëpër rrjetet e tyre sociale.
Kjo është bërë nëpërmjet një njoftimi në Email që e kanë pranuar të gjithë punëtorët e RTK-së, e të cilin e ka siguruar Nacionale.
Në Email thuhet se ky vendim është marrë në përputhje me Standardet dhe Parimet Etike në Programet e RTK-së. Megjithatë, aty nuk është cituar ndonjë nen a paragraf specifik.
“Duke marrë parasysh misionin e transmetuesit publik për të ruajtur profesionalizmin dhe besueshmërinë e programeve tona, ju njoftojmë se është marrë vendim për tu ndaluar reklamimi i produkteve, shërbimeve, ose brendeve në rrjetet tuaja sociale. Ky vendim është marrë në përputhje me politikën tonë të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë të transmetuesit publik, si dhe për të shmanguar çdo ndërlidhje të mundshme mes interesave të jashtme dhe misionit tonë publik”, thuhet në këtë Email të RTK-së.
Deri më tash, gazetarët e moderatorët, kanë shfrytëzuar rrjetet e tyre sociale për të reklamuar dyqanet e ndryshme të veshjeve të cilat ata i kanë shfrytëzuar nëpër emisione. Tash, për këtë, ata duhet të adresohen në divizionin për marketing.
“Sa i përket veshjeve të caktuara ose materiale promocionale për emisionet që drejtoni, kjo do të mund të realizohet vetëm nëpërmjet një kontrate të veçantë me institucionin apo forma të tjera bashkëpunuese. Derisa sa i përket marrëveshjeve me kompensim të hapësirës publicitare do të duhet të përfshihet departamenti i marketingut, i cili do të ju asistoj në fomralizimin e marrëveshjeve me palë të treta”, thuhet më tutje.
Menaxhmenti në Email ka përmendur të gjitha rrjetet sociale për të cilat vlen kjo rregull e re.
“Vendimi vlen për të gjitha platformat e rrjeteve social përfshirë, por pa u kufizuar, në Facebook, Instagram, X, Tik Tok, LinkedIn dhe të tjera, duke garantuar që imazhi dhe misioni i transmetuesit publik të mbeten të paanshme dhe të pavarura nga influencat e jashtme, ashtu siç është e përcaktuar në Ligjin për RTK”, thuhet më tutje.
Radio Televizioni i Kosovës kishte urdhëruar gazetarët që në kronikat e tyre kryeministrit Albin Kurti të mos i referohen si “kryeministër në detyrë” dhe Qeverisë aktuale të mos i referohen si “Qeveri në detyrë”.
Përmes një emaili, redaktori i lajmeve qendrore, Besart Galica, ka urdhëruar që në asnjë kronikë televizive dhe në asnjë edicion të lajmeve të mos përdoren terme të tilla.
“Qeveria aktuale është me të gjitha kompetencat e saj deri në konstatimin e legjislaturës së re. Kështu që, në asnjë edicion të lajmeve të mos nënshkruhet ‘kryeministër në detyrë’ apo ‘qeveria në detyrë’ dhe në asnjë kronikë”, thuhet në email.
Drejtori i televizionit publik është Rilind Gërvalla, një ish-aktivist i devotshme i Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, dikur edhe pjesëmarrës në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së.
Gërvalla kishte qenë edhe në mes të donatorëve të VV-së.