Qentë shqetësohen nga stresi që pronarët e tyre e marrin në punë

Një studim ka treguar se qentë stresohen nga ankthi i pronarëve të tyre në lidhje me punën.

Shkencëtarët u kërkuan 85 pronarëve të qenve të plotësonin një anketë mbi nivelet e stresit në punë dhe sjelljen e kafshëve të tyre shtëpiake.

Pronarëve iu bënë pyetje në lidhje me jetën e tyre profesionale, duke përfshirë “a jeni të irrituar nga problemet e punës” dhe sa janë dakord ose jo me pohimin “më ndodhin shumë pak gjëra stresuese në punë”.

Atyre iu kërkua gjithashtu të raportonin se sa shpesh qeni i tyre shfaqte 11 sjellje të ndryshme, disa prej të cilave lidhen me stresin, siç janë gulçimi, mbajtja e bishtit midis këmbëve, rënkimi dhe përkulja te njerëzit.

Studiuesit gjetën një korrelacion të drejtpërdrejtë midis pronarëve me punë më stresuese dhe niveleve të stresit të kafshës së tyre shtëpiake.

“Rezultatet tona thonë që një person me një punë më stresuese ka më shumë gjasa ta kalojë atë stres te qeni i tij në shtëpi”, tha për “The Telegraph” autorja e studimit Dr. Tanya Mitropoulos, e Universitetit Radford, transmeton Klankosova.tv.

Rreth një e katërta e atyre që u studiuan ishin punonjës të kujdesit shëndetësor dhe një e treta ishin menaxherë të nivelit të lartë – të dyja pozicionet që studimi i gjeti veçanërisht stresuese.

Dr. Mitropoulos zbuloi se nga të gjitha gjërat që mund ta stresojnë një qen, 13 për qind mund t’i atribuohen punës së pronarit.

“Nëse keni dy pronarë qensh, pronari i qenit me stres më të lartë ka një shans prej 64 për qind të zotërojë qenin që është më i stresuar”, shtoi ajo.

Shkencëtarët zbuluan se një nga aspektet më problematike të sjelljes së pronarit, të cilin qentë e kapën më shumë, ishte bartja e barrës mendore të një pune në shtëpi.

Dr. Mitropoulos këshilloi që të kontrolloni email-et e punës sa më pak të jetë e mundur dhe të mos punoni kur jeni në shtëpi, si dhe të siguroheni që puna dhe shtëpia të jenë të ndara qartë – si mendërisht ashtu edhe fizikisht – për njerëzit që punojnë nga shtëpia.

Ajo tha se mënyra më e mirë për t’u çlodhur si për pronarët ashtu edhe për qentë është të luajnë së bashku në shtëpi pas pune.

Studimi u botua në revistën Scientific Reports.