Kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëkohësisht numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu si lideri i saj, Albin Kurti dhe partia e tij, bartë në bagazhin e tij politik angazhimin kundër “17 Shkurtit” apo Pavarësisë së Kosovës.
Qëndrimeve të shumta dhe të errëta të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, i ishte bashkuar edhe Konjufca, një nga bashkëthemeluesit e subjektit politik, Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.
17 SHKURT 2008 – KONJUFCA: QYTETARËT NUK PO E DIJNË SE KJO NUK ËSHTË PAVARËSIA E KOSOVËS
Më 17 shkurt 2008, gazeta “Koha Ditore” kishte qëndruar në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe një ditë më pas kishte publikuar reportazhin për zhvillimet nga selia e këtij subjekti politik në lagjen “Pejton” në Prishtinë.
“Kosova shpall pavarësinë e saj – Vetëvendosje nuk feston”, është titulli i artikullit ku pasqyrohet mungesa e festës në këtë subjekt politik.
Në këtë artikull, zë vend edhe qëndrimi i turpshëm i njërit nga drejtuesit e atëhershëm dhe të tashëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës.
“I njohur me kremten që po bëhej në rrugët e kryeqytetit, Konjufca ka thënë se pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës nuk janë duke e ditur se çfarë po festojnë”, thuhet në artikull dhe më pas prezantohet qëndrimi i Konjufcës, që aktualisht është njeriu i dytë, pas Kurtit, në Vetëvendosje.
“Të paktë janë ata qytetarë që e dijnë se çfarë është kjo që po fesotjnë. Pjesa tjetër i besojnë interpretimit institucional që kjo që po ndodh është pavarësia e Kosovës e që në realitet nuk është e tillë”, është shprehur Konjufca, thuhet në artikullin e “Kohës Ditore”.

Gazeta tregon ndër tjerash edhe për atmosferën e zymtë në selinë e kësaj partie, të cilët nuk po i gëzoheshin arritjes kombëtare të shqipatërëve – shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
“Për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, dita e diel ka qenë ditë e zakonshme. Ata nuk kanë festuar, duke thënë se nuk kanë për çka të festojnë. Sipas tyre, qytetarët e Kosovës nuk janë duke e ditur se çfarë po festojnë”, thuhet në këtë artikull të publikuar më 18 shkurt 2008.
Siç tregohet në këtë artikull, mosfestimi i shpalljes së pavarësisë, kishte zgjuar kurreshtjen e madhe të mediave ndërkombëtare.
“Ata në këtë ditë, punën më të madhe e kishin me gazetarë e sidomos ata ndërkombëtarë, të cilët ishin mjaft të interesuar të merrnin qëndrimin e kësaj lëvizjeje”, thuhet mes tjerash në shkrimin e asaj kohe.
17 SHKURT 2024 – KONJUFCA: SOT ËSHTË DITA MË E RËNDËSISHME E SHTETIT TONË
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me kryetarin e partisë së tij, Albin Kurtin, që aktualisht është kryeministër, mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Kosovës, afër objektit të Qeverisë së Kosovës në shenjë nderimi të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Të dytë, Kurti e Konjufca, kanë uruar popullin e Kosovës për këtë ditë, të cilën e quajtën më të rëndësishmen për shtetin e Kosovës.
“Sot është ditë e festimit dhe reflektimit dhe falënderimi shkon për dëshmorët dhe martirët që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit, dhe veprimtarët e aktivistët politik që shteti jonë të krijohet, dhe padyshim për miqtë tonë ndërkombëtarë që të lind shteti i Kosovës”, tha Konjufca më 17 shkurt 2024.
Sot, Kosova shënon 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit.
Nga këto 16 vite, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti dhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje, deri në vitin 2020, kur morën pushtetin, kanë zhvilluar fushata kundër shtetit dhe simboleve të Republikës së Kosovës./Demokracia.com/