Prokuroria Themelore në Prishtinë ngre aktakuzë për rrëzimin e kulmit të Komunës së Prishtinës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar, Y.J. dhe B.B., në lidhje me rastin e rrëzimit të kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, raporton Demokracia.com.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.J., në cilësinë e Menaxherit të Kontratës për projektin e “Rikonstruimit të kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë prej 386,096.20 eurosh, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Ai dyshohet se ka hartuar raporte të rreme, duke pretenduar se punimet e kulmit ishin kryer sipas kontratës, edhe pse realisht ato nuk ishin realizuar në pozicionet specifike të përcaktuara nga kontrata (2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14). Kjo ka rezultuar në pagesa të padrejta ndaj kompanisë, duke shkaktuar një dëm financiar prej 36,450.29 eurosh në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, i pandehuri B.B., në cilësinë e përgjegjësit të kompanisë ndërtimore që ishte e kontraktuar për realizimin e punimeve, akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale dhe me kushtet e kontratës. Në vend që të kryente punimet sipas specifikimeve kontraktuale, ai ka realizuar punime të tjera, të cilat rezultuan në rrëzimin e një pjese të kulmit për shkak të erërave të forta. Incidenti ka shkaktuar lëndime të rënda ndaj qytetares E.U., dëme materiale në pesë automjete të parkuara dhe dëm financiar në buxhetin shtetëror.

Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë. Me ngritjen e aktakuzës, prokuroria ka propozuar që të pandehurit të detyrohen të kompensojnë dëmin material prej 36,450.29 eurosh, si dhe të përballen me shpenzimet e procedurës penale.