Pacientë të shumtë presin me orë në korridorin e Klinikës së Onkologjisë për kontrolle dhe për terapi. Në QKUK thonë se për ta përmirësuar situatën që nga 2 dhjetori morën vendim që në këtë Klinikë të punohet me dy ndërresa. Por, prej dy ditësh vendimi nuk është respektuar nga stafi i klinikës
Dhjetëra pacientë me sëmundje të kancerit presin çdo ditë me orë të tëra për t’u kontrolluar te mjeku që u caktohet. Përveç para zyrave të onkologëve, grumbuj tjerë të pacientëve presin edhe para sportelit dhe në tërë korridorin e Klinikës së Onkologjisë për të marrë terapitë.
Kjo situatë është e përditshme, e pacientët shprehin ankesa për pritje të gjata.
“Prej 9-ve kemi ardhur… Me prit boll, kallaballëk i madh, me të respektu me të këqyr mirë boll, por me prit shumë”, ka thënë një paciente.
Një paciente tjetër tregon se vetëm për t’i marrë tabletat pret mbi një orë.
“Njëherë kemi me hy te mjeku, prej mjekut në laborator…, deri po na qet laboratori, ata na tregojnë zakonisht që barnat 1 orë e gjysmë ke me i prit derisa të dalin… Mbi 200 pacientë janë kanë, nuk kanë faj, se ato po shkojnë, njëherë kanë me hy te analizat e gjakut, prej analizës me i shti letrat në kompjuter…”, ka rrëfyer një tjetër paciente.
Për të lehtësuar qasjen e pacientëve në marrjen e shërbimeve, që nga 2 dhjetori Qendra Klinike Universitare vendosi që në Klinikën e Onkologjisë të punohet me dy ndërresa. Ky vendim, sipas drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, kërkon që përveç orarit të zakonshëm, orari i dytë të nisë nga ora 13:00 deri në orën 19:00 në mbrëmje.
“Ka qenë një hap që unë e konsideroj të domosdoshëm, pra që pacientët mos të grumbullohen në masë të madhe, bashkë me familjarët e tyre, të cilët kanë nevojë për marrjen e kimioterapisë qysh nga orët e hershme të mëngjesit. Vazhdimisht është një tollovi e panevojshme. Kjo në masë të madhe do ta zbutë këtë, pasi do të kemi dy ciklet e kimioterapisë të organizuara”, ka thënë Hajdari.
Por, vendimi i drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, nuk u zbatua në dy ditët e para, si pasojë e rezistimit të stafit shëndetësor.
“Këto dy ditë nuk është zbatuar. Sot kam një konfirmim nga drejtori i Klinikës dhe planin e veprimit që nga sot veç thjesht vazhdon orari, domethënë pasdite, ku vetë drejtori i klinikës është pasdite së bashku me kolegët e tij dhe nga e hëna funksionalizohen thuajse në tërësi edhe listat e pacientëve”, ka thënë Hajdari.
Lidhur me refuzimin e mjekëve për të punuar me dy ndërresa, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, por ai ka qenë i paqasshëm gjatë ditës.
E, drejtori i QKUK-së ka thënë se nga java e ardhshme do të digjitalizohet edhe sistemi i marrjes së terapisë që do ta shpejtojë procesin e marrjes së ilaçeve.