Presidenca i ka bërë një reagim të ashpër ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, lidhur me kërkesën që Vjosa Osmani e dërgoi në adresë të kryeministrit, Albin Kurti për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane.
Mbi disa ankesa të shfaqura nga ministri drejt presidentes, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, u shpreh se është vet Hekuran Murai ai i cili s’mund të flas për seriozitet, transmeton klankosova.tv.
”Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet. Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial, një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional. E turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës është deklarata e tij e sotme. Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor, e leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”.
Kujtojmë që ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, shfaqi disa pakënaqësi mbi idenë e kërkesës së presidentes, Vjosa Osmani, së cilës ia njehi me minuta e-mailin e me postimin në rrjete sociale, duke e cilësuar aspak veprim serioz!
”Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë. Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”.