Presidenca dhe Qeveria s’treguan se me shefin e NATO-s diskutuan për dialogun me Serbinë: Pse e fshehën këtë temë?

Sekretari i Përgjithshme i NATO-së, Mark Rutte, të martën ka takuar liderët institucionalë të Kosovës, me të cilët ka diskutuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë. Ndonëse mesazhi kryesor në adresimin e sekretari për media ishte progresi në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, Presidenca dhe Qeveria nuk janë marrë fare me këtë temë.

Në komunikatat për media të këtyre dy institucioneve, nuk është përmendur fare çështje e dialogut me Serbin.

Madje, presidentja Vjosa Osmani këtë temë nuk e ka përfshirë as në adresimin e saj në konferencën e përbashkët me shefin e NATO-së.

Në komunikatën për media të Presidencës përmendet statusi i shefes se shtetit të cilin e ka shkruar në profilin e saj në “Facebook”.

“Kosova në NATO nuk është vetëm përcaktim strategjik – por domosdoshmëri për paqen. Në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, riafirmuam partneritetin tonë me Aleancën më të fuqishme të sigurisë në botë. Si vend që ka tejkaluar objektivin e NATO-s për investime në mbrojtje prej 2% të GDP-së dhe po ndërton një forcë moderne të sigurisë, në përputhje me standardet e Aleancës, synimi ynë është i qartë: anëtarësimi në NATO si një kontribuues i palëkundur për sigurinë rajonale dhe globale”, ka shkruar Osmani.

Çështja e dialogut nuk u përmend as në komunikatën e Zyrës Kryeministrit, e cila ka qenë shumë më e gjatë se ajo e Presidencës.

Në komunikatë specifikohen temat që janë diskutuar në takim, por askund nuk thuhet se palët kanë folur për procesin e dialogut.

“Gjatë takimit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e çmueshëm të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Ai theksoi se aspirata e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO reflekton përkushtimin e vendit tonë ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë dhe vullnetit për të kontribuar në fuqizimin të mëtejshëm të Aleancës. Gjithashtu, Kryeministri falënderoi Sekretarin Rutte për bashkëpunimin e ngushtë mes misionit të NATO-s, KFOR-it, dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpërmjet misionit këshillëdhënës NALT”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Më tej, përmenden edhe temat tjera që janë diskutuar në takim.

“Në diskutim u theksua fakti se Kosova organizoi zgjedhje parlamentare të lira dhe demokratike, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve jo-shumicë. Megjithatë, Kryeministri ngriti shqetësimin për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, me mbështetjen e Rusisë, ndaj komunitetit serb përmes presionit, shantazhit dhe dezinformimit. Ai theksoi se raportet e misionit të vëzhguesve të BE-së kanë evidentuar përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si “RT Balkans” dhe “Sputnik Srbija”, të cilat kanë shpërndarë mbi 60 artikuj që synonin manipulimin e komunitetit serb në Kosovë”, është thënë në komunikatë.

Çka tha Rutte për dialogun?

Mesazhi kryesor i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, ishte dialogu për normalizim të marrëdhëneiev në mes të dy shteteve.

Ai kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të avancojnë në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve, transmeton nacionale.

Shefi i NATO-s ka vlerësuar se të dy vendet duhet të bëjnë kompromiset e duhura dhe të tregohen fleksibile në këtë proces.

Sipas tij, kjo nënkupton vendime të vështira.

“Për ta shtyrë përpara këtë dialog të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e duhura, dhe të fokusohen në siguri afatgjate. E di që nënkupton vendime të vështira, por pamja duhet të shikohet më e gjerë. Duhet stabilitet, dhe siguri afatgjate. Në dobi të të gjithëve. Ky është mesazhi që do të vazhdoj ta theksoj para të gjitha palëve që takoj në rajon. Edhe njëherë faleminderit në Prishtinë”, ka thënë Rute.

Ai ka thënë se NATO e mbështet këtë proces.

“Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët, që të përdorin diplomaci para dhunës. NATO do të vazhdojë të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhme stabile”, është shprehur ai.