Policia e Kosovës ka zhvilluar një procedurë të dështuar të prokurimit për ndërtimin e Stacionit Policor në Prishtinë, e cila u zvarrit dhe u degradua për tre vjet me radhë, përkundër vendimeve të njëpasnjëshme të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) që konstatuan shkelje të rënda nga autoriteti kontraktues. Por, në vend që të pasonin masa ligjore ndëshkuese ndaj zyrtarëve përgjegjës, siç kërkon rregullorja dhe ligji, Paneli i OSHP-së u mjaftua me një “vërejtje” ndaj zyrtarit përgjegjës të prokurimit të Policisë së Kosovës, Artan Fejza, shkruan Demokracia.com.
Policia e Kosovës më 17 tetor 2022 kishte shpallur tenderin për ndërtimin e Stacionit Policor në Prishtinë, me vlerë 1.5 milionë euro dhe afat realizimi 730 ditë. Pavarësisht interesimit të nëntë operatorëve ekonomikë, procedura përfundimisht u anulua me arsyetimin se nuk pati ofertues të përgjegjshëm.
Por gjatë kësaj periudhe trevjeçare, ndaj këtij aktiviteti të prokurimit janë parashtruar pesë ankesa të ndara, të gjitha nga kompania Astraplan SHPK, e cila u ankua për mënyrën e vlerësimit të ofertave dhe mosrespektimin e vendimeve të mëhershme të OSHP-së. Këto ankesa janë trajtuar nga Paneli Shqyrtues në vendimet:
- 2023/0356,
- 2023/00373,
- 2024/0389,
- 2023/0762,
- 2024/0101, dhe
- 2024/0725.
Në të gjitha këto vendime janë konstatuar shkelje të njëjta nga Autoriteti Kontraktues (Policia e Kosovës), i cili ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe nuk ka zbatuar vendimet e OSHP-së, ashtu siç kërkon neni 115 i LPP-së.
Pavarësisht faktit, që sipas Panelit, autoriteti kontraktues jo vetëm që ka shkelur dispozitat e ligjit, por edhe ka refuzuar t’i zbatojë vendimet e Panelit Shqyrtues në katër raste të njëpasnjëshme, Paneli është mjaftuar vetëm me shqiptimin e një “vërejtjeje” ndaj zyrtarit përgjegjës të prokurimit, pa kërkuar ndëshkimin që parashihet me ligj dhe rregullore.
Në vendim thuhet: “. Andaj, për Zyrtarin Përgjegjës të Prokurimit shqipton vërejtje për stërzgjatje dhe prolongimi të këtij aktiviteti të prokurimit dhe shkelje të vazhdueshme dhe mos respektim të vendimeve të OSHP, veprime këto të cilat janë në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurim Publik, ku sipas këtij neni tek pika h), Mos respektimi i vendime të OSHP, konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik”.



Çka thotë ligji për ‘shkeljen e rënd’
Siç shihet vete paneli thotë se mosrespektimi i vendimit të tyre është shkelje e rëndë.
Kjo dispozitë, për të qenë të saktë, thotë në mënyrë të prerë:
Neni 97 i Rregullores nr. 001/2022
“Shkeljet e rënda”
h) Mosrespektimi i vendimeve të OSHP-së dhe KRPP-së konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik.

Neni 99 i rregullores trajton “Masat disiplinore për shkeljet e rënda” dhe përcakton sa vijon:
99.1 Për shkelje të rënda të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislacionit dytësor, duke përfshirë edhe ato të specifikuara në paragrafin 97.1 të kësaj rregulloreje, Bordi i KRPP-së, bazuar në propozimin e komisionit, do të vendosë për anulimin e certifikatës profesionale të prokurimit brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike nga data kur komisioni ka dhënë rekomandimin e tij.
99.2 Për shkelje të rënda të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislacionit dytësor, duke përfshirë edhe ato të specifikuara në paragrafin 97.1 të kësaj rregulloreje, Bordi i KRPP-së do të nxjerrë vendim për anulimin e certifikatës së prokurimit dhe do të kërkojë nga autoriteti kontraktues marrjen e masave disiplinore ndaj personit në fjalë, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

Pra, jo vetëm që vërejtja nuk është masë e paraparë për raste të tilla, por Paneli është dashur të propozonte revokimin e certifikatës së zyrtarit të prokurimit dhe të kërkonte marrjen e masave disiplinore ndaj tij.
Paneli Shqyrtues justifikon qëndrimin e tij duke u thirrur në nenin 104 paragrafi 4 të LPP-së, që thotë se OSHP duhet të veprojë në mënyrë proporcionale, por e anashkalon qëllimisht se proporcionaliteti nuk përjashton zbatimin e detyrueshëm të sanksioneve për shkeljet e rënda.
Madje, vetë Paneli pohon se: “AK ka luajtur një rol dekonstruktiv… dhe nuk ka respektuar vendimet e OSHP-së”.
Por përkundër këtij konstatimi, Paneli përfundon se: “Kjo çështje konsiderohet e trajtuar, në kuptim të nenit 105.2.15 të LPP-së… dhe nuk ka vend për ri-vlerësim të ofertave”.
Me fjalë të tjera, përkundër shkeljeve, vendimeve të injoruara, zvarritjes së aktivitetit dhe mosndëshkimit të askujt, Paneli e mbyll rastin me një notë burokratike, duke i dhënë mbështetje përfundimtare vendimit të Policisë së Kosovës për anulim të aktivitetit.
Akuza të rënda për korrupsion, ndërhyrje dhe manipulim ndaj zyrtarit kryesor të prokurimit
Në ankesën e fundit para vendimit të Panelit, të dorëzuar nga kompania Astraplan SHPK, janë bërë akuza direkte dhe të rënda për korrupsion kundër shefit të prokurimit në Policinë e Kosovës, Artan Fejza.
Në dokument, kompania i drejtohet drejtpërdrejt zyrtarit me këtë deklaratë:
Më tej, Astraplan akuzon se Fejza ka zhdukur provat e shkeljeve, përfshirë edhe fshirjen e refuzimit të kërkesës për rishqyrtim të datës 01.02.2024, pasi ka kuptuar se refuzimi ishte në kundërshtim me LPP-në.



Tentativa për ta futur në listë të zezë kompaninë denoncuese
Derisa kompania Astraplan po i denonconte këto shkelje, Policia e Kosovës kishte kërkuar nga OSHP që këtë kompani ta futë në listë të zezë ketë kom pani. Arsyeja: “deklarata të rreme” gjatë ofertimit, që gjoja kishin ardhur nga Administrata Tatimore.
Policia e Kosovës kishte ngritur pretendime për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim në lidhje me përvojën dhe kualifikimet e stafit të kompanisë, por OSHP e konsideroi kërkesën e saj si të pabazuar dhe pa prova konkrete.
Në vendimin e saj, OSHP argumentoi se dokumentacioni i dorëzuar nga Astraplan përmbushte të gjitha kërkesat e tenderit dhe pretendimet e Policisë mbi falsifikimin nuk gjetën mbështetje ligjore. Për më tepër, OSHP theksoi se disa nga vërtetimet e paraqitura nga Policia, të cilat pretendohej se provonin përvojën e rreme të stafit të kompanisë, nuk ishin të kërkuara në dokumentet e tenderit.
Ky vendim i OSHP-së ishte një ‘goditje’ për Policinë, e cila është e ngarkuar me zbulimin e falsifikimeve në dokumente zyrtare dhe nuk arriti të dëshmojë një gjë që pretendoi që i ndodhi në shtëpinë e vet. Policia kishte kërkuar që Astraplan të futet në “listën e zezë” për një vit, duke e përjashtuar nga tenderët publikë, mirëpo kjo kërkesë u rrëzua pasi munguan provat e qarta për të mbështetur akuzat e saj.
Paneli shqyrtues, i kryesuar nga Vedat Poterqoi, vlerësoi se kërkesa për përjashtimin e Astraplanit ishte e pabazuar, ndërsa shtoi se përjashtimet në tenderë për shkak të falsifikimeve kërkojnë prova të pakontestueshme. Megjithëse Kodi Penal i Kosovës e cilëson falsifikimin si vepër të rëndë penale, në këtë rast mungesa e provave e bëri të pamundur zbatimin e masave ndëshkimore, shkruan Demokracia.com.
Prokurimi publik ka rëndësi kritike për ekonominë dhe transparencën e shpenzimeve publike, duke synuar mbrojtjen e interesit publik. Skualifikimi i operatorëve për falsifikime është një mekanizëm kyç në parandalimin e abuzimeve, megjithatë vendimi i fundit i OSHP-së ngre pyetje mbi efektivitetin e mekanizmave të ndëshkimit kur provat mungojnë.
Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, OSHP ka autoritet të vendosë kompani në “listën e zezë” dhe t’i përjashtojë ato për një periudhë njëvjeçare nga prokurimi publik. Pavarësisht këtij mjeti parandalues, praktika ka treguar se përjashtimi për mungesë të bazuar të dokumentacionit apo prova të dyshimta është ende një sfidë e hapur.
E megjithatë, zyra e prokurimit e vazhdoi procedurën sikur të mos kishte ndodhur asgjë, derisa më 10 qershor 2025, shpalli anulimin përfundimtar të tenderit, me arsyetimin se “nuk pati ofertues të përgjegjshëm”. /Demokracia.com/




