PDK në Klinë: Qeveria monarkiste e AAK-së, “shkon baba, vjen i biri”

Dega e PDK-së në qytetin e Klinës ka kritikuar pushtetin e Zenun Elezajt atje për nepotizëm.

Trashëgimi i posteve nga babai tek i biri është bërë një traditë shqetësuese, shkruan Demokracia.com

“Rasti i parë u regjistrua në Drejtorinë e Kulturës, ku pas daljes në pension të I.Berisha, vendin e tij e zuri i biri, T.Berisha. E njëjta skemë u përsërit me SH.Elezaj, i cili pas pensionimit u zëvendësua nga djali i tij, F.Elezaj. Një tjetër rast i ngjashëm ndodhi me Xh.Manaj, i cili pas pensionimit u pasua nga i biri, N.Manaj, me miratimin e kryetarit Elezaj. Ky model u aplikua edhe me M.Gojani, vendi i të cilit iu la nuses së djalit të tij, si dhe me A.Sejdiu, ku pas pensionimit, i biri i tij, E.Sejdiu, mori të njëjtin post në drejtorinë përkatëse.”, thuhet në komunikatën e PDK-së, dega në Klinë.

KOMUNIKATA E PLOTË:

QEVERIA MONARKISTE E AAK-së NË KLINË: “SHKON BABA, VJEN I BIRI”

Duket se nepotizmi në Komunën e Klinës ka marrë përmasa alarmante, duke u shndërruar në një praktikë sistematike që ka rrënjë të thella në qeverisjen e kryetarit Zenun Elezaj. Në komunë, sipas praktikave të vendosura nga AAK-ja, postet publike po trashëgohen nga baballarët te bijtë, duke krijuar një sistem të mbyllur dhe të padrejtë që shkel mbi parimet e meritokracisë dhe transparencës.

Që nga fillimi i mandatit të kryetarit Elezaj, janë identifikuar të paktën pesë raste të punësimeve nepotike, ku pas daljes në pension të prindërve të tyre, bijtë e tyre janë punësuar në të njëjtën pozitë ose sektor, nën pretendimin e fitimit të pozitës në mënyrë të rregullt. Nëse do të bëhej fjalë për një rast të vetëm, mund të kalonte si koincidencë, por përmasa e këtij fenomeni tregon një sistem të mirëorganizuar të nepotizmit.

Rasti i parë u regjistrua në Drejtorinë e Kulturës, ku pas daljes në pension të I.Berisha, vendin e tij e zuri i biri, T.Berisha. E njëjta skemë u përsërit me SH.Elezaj, i cili pas pensionimit u zëvendësua nga djali i tij, F.Elezaj. Një tjetër rast i ngjashëm ndodhi me Xh.Manaj, i cili pas pensionimit u pasua nga i biri, N.Manaj, me miratimin e kryetarit Elezaj. Ky model u aplikua edhe me M.Gojani, vendi i të cilit iu la nuses së djalit të tij, si dhe me A.Sejdiu, ku pas pensionimit, i biri i tij, E.Sejdiu, mori të njëjtin post në drejtorinë përkatëse.

Kjo praktikë nuk është vetëm një abuzim flagrant me institucionet publike, por edhe një tregues i qartë i mungesës së konkurrencës së ndershme dhe barazisë së qytetarëve për punësim. Për qytetarët e Klinës, të cilët nuk kanë lidhje familjare me pushtetarët, shanset për të fituar një vend pune në komunë duken të pakta, përderisa një sistem i tillë klientelist vijon të mbizotërojë.

A duhet të pranojnë qytetarët e Klinës këtë model monarkik të qeverisjes? A mund të tolerohet më gjatë ky keqpërdorim i institucioneve publike për interesa familjare? Është koha që organet përkatëse dhe shoqëria civile të ndërmarrin hapa konkretë për të ndalur këtë praktikë të papranueshme, duke rikthyer transparencën dhe drejtësinë në administratën komunale.