Ndërmarrja Publike “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, lidhur me gjendjen financiare dhe menaxhimin e ndërmarrjes, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe duke sqaruar se problemet financiare kanë ardhur si pasojë e moszbatimit të rregullores komunale për pagesat e mbeturinave.
Sipas reagimit, rregullorja e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës parashikon që pagesat për shërbimet e mbeturinave të derdhen drejtpërdrejt në llogarinë e kompanisë “Pastrimi”. Megjithatë, udhëzimet publike nga Komuna që qytetarët të mos paguajnë në ndërmarrje, por në Komunë, kanë rezultuar në pamundësinë për të arkëtuar të hyrat e nevojshme për operim. Si pasojë, që nga janari i këtij viti, borxhet e papaguara kanë arritur vlerën e 2.7 milionë eurove.
“Pastrimi” njofton se më 2 maj 2025, Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes i është drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Komunës me kërkesë për zbatim të rregullores në fuqi, duke e informuar edhe institucionet kompetente, dhe ka shprehur gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale dhe të qëndrueshme.
Ndërmarrja po ashtu ka reaguar ndaj kritikave për menaxhimin e brendshëm, duke theksuar se raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) e ka vlerësuar atë me opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare – vlerësimi më i lartë sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit. Pasqyrat financiare për vitin 2024 tregojnë se nga një bilanc negativ prej -1.5 milionë euro në vitet e mëparshme, ndërmarrja ka kaluar në një fitim bruto prej 5%.
Megjithë këto rezultate, “Pastrimi” paralajmëron se, për shkak të borxheve të papaguara dhe mungesës së të hyrave, ka vështirësi serioze për të përmbushur një pjesë të obligimeve financiare.
Në fund, ndërmarrja shpreh përkushtimin për të vazhduar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe thërret për bashkëpunim institucional në mënyrë që të tejkalohen sfidat aktuale dhe të garantohet funksionimi i qëndrueshëm i ndërmarrjeve publike. /Demokracia.com/
Postimi plotë:
Reagim i Ndërmarrjes Publike “Pastrimi” Sh.A. në lidhje me deklaratat e Kryetarit të Kryeqytetit, z. Përparim Rama
Ndërmarrja Publike “Pastrimi” Sh.A. vlerëson çdo formë mbështetjeje institucionale që kontribuon në sigurimin e funksionimit të qëndrueshëm dhe përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit tanë, të cilët me përkushtim kryejnë një shërbim thelbësor për qytetarët e Kryeqytetit.
Në këtë kontekst, dëshirojmë të sqarojmë disa çështje që janë ngritur në opinionin publik pas deklarimeve të fundit të Kryetarit të Kryeqytetit, z. Përparim Rama, lidhur me gjendjen financiare dhe menaxhimin e ndërmarrjes.
Është e rëndësishme të theksojmë se sfidat financiare me të cilat përballet aktualisht ndërmarrja janë rezultat i moszbatimit të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, e cila përcakton qartë se pagesat për shërbimet e mbeturinave duhet të kryhen drejtpërdrejt në llogarinë e kompanisë “Pastrimi” Sh.A.
Përkundër kësaj dispozite ligjore, udhëzimet publike për t’i orientuar qytetarët që të mos paguajnë në kompaninë “Pastrimi”, por në Komunë, kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë për të arkëtuar të hyrat e nevojshme për funksionim, që nga muaji janar 2025. Pra, nga janari 2025 e deri tani kur po flasim, borxhet e papaguara për shkak të kësaj thirrje nga Komuna kanë arritur vlerën e 2.7 milionë eurove.
Në vijimësi, dhe më së fundi më datë 2 maj 2025, Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes i është drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Komunës me kërkesë për zbatim të rregullores në fuqi, me njoftim edhe për institucionet kompetente, duke shprehur gatishmërinë për zgjidhje institucionale dhe të qëndrueshme.
Lidhur me pohimet për menaxhimin e brendshëm të ndërmarrjes, dëshirojmë të theksojmë se në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), që ka audituar performancën dhe menaxhimin e ndërmarrjes, është konstatuar se:
“Menaxhimi i KRM ‘Pastrimi’ Sh.A. është vlerësuar me opinionin më të mirë të mundshëm, sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit. Pra, “opinion i pampdifikuar për pasqyrat financiare”. Gjithashtu Pasqyrat Financiare për vitin 2024, dëshmojnë që KRM “Pastrimi” Sh.A nga një gjendje negative të cilën e kishte në vitet paraprake me minus 1.5 milion euro, ka kthyer operimin me bilanc pozitiv në 5% bruto fitim. Ky vlerësim tregon përkushtimin e ndërmarrjes për administrim të përgjegjshëm, transparencë dhe respektim të ligjeve në fuqi. Raporti i ZKA-së dhe Pasqyrat Financiare janë publike dhe të qasshme për çdo qytetar apo institucion të interesuar. Mirëpo gjatë kësaj faze sipas veprimeve të Komunës, dhe borxhet e pa paguara nga ta, kanë bërë që të kemi pamundësinë financiare të kryerjes së një pjese të obligimeve.
Besojmë se përmes bashkëpunimit institucional dhe respektimit të vendimeve të Kuvendit Komunal, mund të tejkalohen sfidat aktuale dhe të sigurohet që ndërmarrjet publike të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve me integritet dhe profesionalizëm.
“Pastrimi” Sh.A. mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime cilësore, për të mbrojtur interesin publik dhe për të ruajtur dinjitetin e punonjësve tanë, duke punuar në frymë bashkëpunimi me të gjitha institucionet relevante .
