Pas çdo sulmi kibernetik, numërimi nis nga zero – çka po ndodh me KQZ-në?

Edhe dy ditë bëhet një javë që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, mirëpo qytetarët, të cilët votuan të dielën, ende nuk e kanë marrë vesh se cila parti do e qeverisë shtetin.

Kjo për shkak të problemeve teknologjike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, faqja e së cilit doli të jetë hakuar, raporton Kiks Kosova.

Madje, dyshimet u ngritën se në të pati gisht ndonjë parti politike.

Dyshime pati se qytetarëve, të cilët e kanë vizituar faqen e KQZ-së, u janë vjedhur të dhënat personale.

Nuk mjaftoi vetëm kjo.

Elektorati ende nuk e di se cilët prej kandidatëve do të bëhen deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Me të rënë sistemi, votat e numëruara duhet të rinumërohen prej fillimit.

E kjo po ndodh goxha shpesh në qendrat komunale të numërimit. Për dhjetëra herë sa faqja elektronike e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pati telashe.

Mirëpo, numërimi nga zero nuk ka ndodhur në secilin rast.

E derisa këto probleme teknike të sanohen, numërimit të votave nuk po i shihet fundi.

Sipas shoqërisë civile, mesatarisht për 8 orë po numërohet vetëm një kuti e votave.