Pacolli: 6.74 milionë euro për Grandin ishin të miat, nuk ia vodha Kosovës

Biznesmeni dhe ish-presidenti Behgjet Pacolli ka reaguar pas vendimit të Qeverisë që t’ia paguajë obligimet financare kompanisë “Mabco Constructions” me 6.74 milionë euro, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka thënë se këto para që i jep ekzekutivi i drejtuar nga Albin Kurti, janë të tijat, dhe se është vetëm duke i rikthyer paratë e veta që i takojnë.

Tutje, i pari i “Mabco Constructions” pohoi se paratë i janë rrëmbyer padrejtësisht, sipas tij, vetëm pasi nuk kishte dhënë ryshfet.

“Nuk e di pse disa më përflasin, duke më akuzuar sikur po i marr shtetit të Kosovës 6.7 milionë euro.  E vërteta është krejt ndryshe: unë vetëm po i rikthej mjetet e mia, të cilat “njerzit e fortë” të këtij shteti, në emër të këtij shteti m’i kanë rrëmbyer padrejtësisht!”

“Këto 6.7 milionë euro nuk janë të shtetit, por të miat – të grabitura vetëm sepse refuzova t’u paguaja ryshfet njerëzve të korruptuar, të cilët ishin mësuar të zhvatnin duke përdorur dorën e pushtetit. Këta njerëz u denoncuan e unë kalova nëpër të gjitha instancat gjyqësore në Kosovë, por nuk gjeta drejtësi”, ka thënë Pacolli.

Ndër tjera, ai ka shtuar se  drejtësia në rastin e tij erdhi vetëm pas 18 vitesh në arbitrazhin ndërkombëtar, duke akuzuar Qeverinë Kurti se zyrtarë të saj e kishin kërcënuar.

“Madje, disa nga zyrtarët e kësaj Qeverie (aktuale) nuk ngurruan të më kërcënojnë e në mënyra tjera frustruese  të shpifin kundër meje, duke përdorur madje edhe gjuhë të ulët gjatë procesit”, tha Pacolli.

Kryetari i AKR-së theksoi se ka nisur proces ligjor ndaj personave që kanë shpifur për të.

“Për këtë arsye, tashmë kam hapur një tjetër proces ligjor për të mbrojtur dinjitetin tim kundër atyre njerëzve primitiv që përdornin akuza të ulëta që ne ishim mësuar t’i shihnim në rrjete sociale”.

Pacolli ka deklaruar se në 15 vitet e fundit, shtetit dhe popullit të Kosovës i ka dhënë mbi 40 milionë euro në forma të ndryshme, të cilat janë si në vijim:

– Kam ndihmuar familjet në nevojë,

– Kam ndërtuar shtëpi për skamnorët,

– Kam mbështetur studentët dhe të sëmurët,

– Kam ndërtuar shkolla, universitete, memoriale dhe objekte të trashëgimisë,

– Kam financuar edhe rindërtimin e objekteve kyçe të institucioneve të Kosovës – madje edhe për ata që sot më shajnë e më fyejnë. /Klankosova.tv