Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po thotë se ka pranuar nga presidentja Vjosa Osmani, një përgjigjie lidhur me pyetjet e tyre mbi mandatin e EULEX-it dhe Gjykatës Speciale.
Në reagimin e OVL UÇK-së thuhet se presidentja Osmani me përgjigjen e saj ka bërë përpjekje “për të lyer me terma juridikë një deklaratë që nuk është gjë tjetër, veçse një konfuzion politik”.
”Për këtë kemi disa vërejtje thelbësore:
- Mosndarja e EULEX-it nga Dhomat e Specializuara është një iluzion.
Mandati aktual i EULEX-it, siç dihet, përfshin mbështetjen për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (shih: Council Decision (CFSP) 2025/1161). Prandaj, pretendimi se vazhdimi i mandatit të EULEX-it nuk ka asnjë lidhje me Gjykatën Speciale është një përpjekje për të anashkaluar rolin institucional që ju, si Presidente, keni në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të këtij vendi. Në një sistem me kontroll dhe balancë kushtetuese, çdo autorizim i tillë nga institucionet nuk mund të jetë vetëm “teknik”, por ka edhe peshë morale, politike dhe juridike.
- Presidentja nuk është notere, është garantuese e frymës së Kushtetutës.
Në aktgjykimin e njohur të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin (KO 130/15), Presidentja Jahjaga dhe institucioni i Presidentit, me pranueshmërinë e kësaj çështjeje nga Gjykata, janë pranuar si institucion që mund të ngrejë çështje në lidhje me “frymën e Kushtetutës”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së transmeton Klankosova.tv.
Pas këtij rasti, kjo frymë nuk është më një koncept abstrakt, por përfshin edhe angazhimin veprues për të mbrojtur qytetarët nga cenimi i lirive të tyre themelore,përfshirë nga një gjykatë hibride që operon me një këmbë në Kosovë dhe tjetrën në BE, pa e ditur se ku qëndrojnë të drejtat e njeriut në të dyja anët.
Kushtetuta jonë, përveçse i mishëron të drejtat e njeriut, në nenin 22 njeh edhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, si akte me fuqi superiore ndaj ligjeve dhe akteve të tjera.
Shkeljet e përsëritura të procedurave nga Dhomat e Specializuara përbëjnë një tallje me këtë Konventë dhe askush, përfshirë ju, nuk ka luksin ta injorojë këtë realitet.
- Ju keni të drejtë dhe përgjegjësi të kërkoni informata mbi mandatin e Gjykatës Speciale.
Sipas nenit 162 (13 dhe 14) të Kushtetutës së Kosovës dhe Amendamentit Kushtetues nr. 24, ju keni të drejtë, si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, të kërkoni, pas përfundimit të afatit pesëvjeçar, njoftim mbi përfundimin e mandatit, qoftë nga Gjykata, qoftë nga Qeveria, siç parashihet në amendament.
Nuk ekziston asnjë ndalesë që Presidentja të iniciojë një kërkesë politike e juridike për këtë rishikim, në cilësinë e saj si përfaqësuese e unitetit të popullit.
Nëse dikur keni votuar për themelimin e kësaj gjykate, sot keni detyrimin moral dhe institucional për të kërkuar llogari për mënyrën se si ajo funksionon.
Në vend të ligjëratave përçmuese (condescending lectures, ja edhe një idiomë tjetër anglisht), qytetarët presin ndjeshmëri dhe kurajë institucionale.
Ne nuk kërkojmë replikë për replikë, as leksione nga një ekip që e konsideron monitorimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut si “shpifje dhe propagandë”; por kërkojmë që në çdo shkëmbim të ardhshëm letrash me BE-në për EULEX-in, të kërkoni kushtëzim: respektimin e standardeve të Konventës Evropiane, përfshirë përfundimin e praktikave të papranueshme të ndalimeve të zgjatura, censurës procedurale dhe mohimit të mbrojtjes efektive.
E nderuara Presidente,
Ju ende keni kohë të tregoni se nuk jeni thjesht një dëshmitare ceremoniale e të drejtave të shkelura, por një vepruese kushtetuese që e mban premtimin e dhënë qytetarëve të këtij vendi: ta mbroni lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin e tyre, pa kompromis.
Me respekt,
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së
Prishtinë, Kosovë”.
