Nuk njohin Kushtetutë e ligje | S’ka legjitimitet, por Bislimi shkon në Bruksel për dialogun me Serbinë

Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë në detyrë.

Disa janë edhe ministra, edhe deputetë.

Kjo nuk e ka ndaluar Besnik Bislimin që të shkojë në Bruksel e të takohet me emisarin Petar Sorensen.

Kjo është bërë e ditur dje me një komunikatë për media nga Qeveria e Kosovës.

“Po, ishte takimi i parë në formë bilaterale me z. Sorensen që nga emërimi i tij në këtë pozicion. Fillimisht ai na tregoi me qasjen që ai mendon që ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e larta ku pastaj udhëhiqen nga znj. Kallas, dhe pastaj në takimin bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat besojmë se është shumë me rëndësi që sa më shpejt të kemi përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje”, tha Bislimi në fillim.

Bislimi dha detaje për temat e disktuara me Sorensenin.

“Përshembull kemi rastin e menagjimit të integruar të kufirit ku ka mungesa të mëdha nga ana e Serbisë si në përmbushjen e obligimeve të tyre përshembull në tri pika kufitare që ata është dashur të ndërtojnë, ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që në Bujanoc, përshembull në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka më shumë udhëtarë që kthehen edhe nga diaspora, por edhe për problemet që kemi në këtë fushë me njohjen e certifikatave fitosanitare edhe atyre veterinare dhe pengesave që iu bën Serbia. Pastaj ngritëm temën e kostove shumë të mëdha që po lindin nga mosfunksionalizimi i linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, që janë obligime të papërmbushura të Serbisë në kuadër të implementimit të marrëveshjes së energjisë. Treguam se deri në ç’masë janë humbjet që ka Kosova në baza vjetore nga kjo dhe barrierat që në vazhdimësi Serbia në mënyrë artificiale po i vendos”, tha Bislimi, raporton Nacionale.

“Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përmes ndihmave për fermerët e vegjël, të cilat i ka blloku Serbia në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku kërkuam një përgjigje sa më të shpejtë për zhbllokimin e këtyre mjeteve. Folëm edhe për fushatën dezinformuese që Serbia e ka nisur në shumë fronte me qëllim të dezinformimit të partnerëve ndërkombëtarë por edhe mbajtjes së lartë të presionit tek qytetarët serb në Kosovë dhe tema të tjera të ngjashme”

Bislimi tha se ka qenë e planifikuar edhe një takim me palën e Serbisë, por që pati vonesa.

“Ka qenë i paraparë edhe një trilateral, por ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme”, theksoi zv/kryeministri në detyrë.

Bislimi foli edhe për problemin me konstituimin e Kuvendit.

“Natyrisht se ka vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë edhe mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”, tha ai.