Në Ministrinë e Ekonomisë, pensionimi nuk është gjithmonë fundi i një kapitulli. Nganjëherë është thjesht një pushim i shkurtër mes një ceremonie me tortë dhe një kontrate të re. Një zyrtar i kësaj ministrie, i cili u pensionua zyrtarisht para një muaji, është rikthyer tashmë si ekspert i prokurimit për një projekt të financuar nga vetë institucioni që e përcolli me mirënjohje, shkruan Demokracia.com.
Për t’ia dhënë lamtumirën u mblodhën drejtuesit kryesorë të ministrisë, me përjashtim të ministres Artane Rizvanolli, e cila nuk ishte e pranishme. Për zyrtarin e pensionuar, Selami Berisha, që shërbeu për shumë vite si udhëheqës i Divizionit të Prokurimit, u organizua një ceremoni, ku iu nda një mirënjohje dhe një tortë festive.
Madje, për pensionimin e tij u lëshua edhe një komunikatë zyrtare nga Ministria e Ekonomisë:
“Në Ministrinë e Ekonomisë (ME) është mbajtur ceremonia për pensionimin e kolegut shumëvjeçar, Drejtorit të Prokurimit, z. Selami Berisha. Me këtë rast, Zëvendësministri i ME, z. Getoar Mjeku, së bashku me Ushtruesen e Detyrës së Sekretares së Përgjithshme, znj. Leonita Shabani – Mullarama, në emër të Ministrisë së Ekonomisë dhe të gjithë kolegëve, i shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë zotit Berisha për punën e kryer me përkushtim dhe profesionalizëm prej afro dy dekadash. Gjithashtu, të gjithë kolegët e uruan zotin Berisha për zellin, bashkëpunimin e frytshëm dhe kolegjialitetin e treguar gjatë shërbimit të tij në ME. Me këtë rast, z. Berisha iu nda një shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në prokurimin e ME”.

Por, duket se zoti Berisha nuk e kishte ndërmend t’i qëndronte larg institucionit. Vetëm pak ditë pas daljes në pension, Ministria e Ekonomisë organizoi një tender për angazhimin e një eksperti të prokurimit, ku fitues doli pikërisht ish-zyrtari që sapo ishte larguar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Demokracia.com, Ministria e shpalli këtë tender më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë – një ditë pushimi për institucionet publike. Për më tepër, afati i aplikimit ishte vetëm 7 ditë.

Në garë kishte hyrë edhe një kandidat tjetër, i cili ofroi një çmim më të ulët se Berisha për 300 euro, por u shpall i papërshtatshëm me arsyetimin se nuk plotësonte përvojën e kërkuar në dosjen e tenderit. Kushti kryesor i përvojës, sipas specifikimeve të tenderit, ishte:
“Përvojë profesionale në fushën e prokurimit publik si Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit Publik për së paku 10 vite pas diplomimit”.
Kjo kërkesë e formuluar në këtë mënyrë kufizon pjesëmarrjen në garë vetëm tek ata që kanë mbajtur saktësisht këtë pozitë, duke e bërë të vështirë për konkurrentët e tjerë të plotësojnë kriteret.

Ligji për Prokurimin Publik e ndalon hartimin e specifikimeve teknike që mund të favorizojnë ose diskriminojnë operatorë të caktuar. Neni 28 i këtij ligji përcakton qartë se:
“Autoriteti kontraktues duhet të përpilojë specifikimet teknike në atë mënyrë që të sigurohet konkurrencë e barabartë dhe qasje e hapur për të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar. Përjashtohen praktikat që krijojnë kritere kufizuese ose përjashtuese për garuesi”.
Bazuar në termat e referencës të tenderit, eksperti i kontraktuar pritet të kryejë detyra si:
- Koordinimi i dokumenteve dhe projekteve me udhëheqësin e njësisë kërkuese;
- Përgatitja dhe publikimi i kontratës për inxhinierin e pavarur;
- Organizimi i ankandeve dhe publikimi i njoftimeve;
- Formimi dhe njoftimi i komisionit të hapjes në bashkëpunim me Zyrën e Prokurimit Publik;
- Regjistrimi i të dhënave për pjesëmarrësit, procedurat dhe vendimet gjatë ankandeve;
- Mbikëqyrja e përmbushjes së obligimeve kontraktuale nga inxhinieri i pavarur.
Megjithatë, shumë nga këto detyra janë rutinore dhe zakonisht kryhen nga zyrtarët e rregullt të institucionit, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën për angazhimin e një eksperti të jashtëm.
Për më tepër, specifikimet teknike të tenderit janë hartuar nga zyrtarët e ministrisë të cilët, deri para pak javësh, kanë qenë nën menaxhimin e Selami Berishës, çka ngre dyshime mbi paanshmërinë e procesit.

Aktualisht, kontrata nuk është nënshkruar ende, pasi ndodhet në fazën e ankesave. /Demokracia.com/
