Gjykatësi vendosi që gratë mund të qëndrojnë në Britaninë e Madhe për arsye të të drejtave të njeriut, pavarësisht se Home Office argumenton se “nuk është kundër ligjit të jesh homoseksual” në Shqipëri.
Një çift shqiptar lesbikesh kanë fituar kërkesën për azil që të qëndrojnë në Britani pasi argumentuan me sukses se “shqiptarët janë homofobikë”, shkruan The Telegraph.
Avokatët që përfaqësonin gratë, të cilat thanë se ishin shënjestruar pasi u panë duke u puthur në rrugë, thanë se megjithëse të qenit homoseksual nuk ishte e paligjshme në Shqipëri, “popullsia” e vendit është ende “patriarkale, konservatore dhe e dominuar nga meshkujt”.
Home Office (Ministria e Brendshme – ed.) argumentoi se ajo që ndodhi me gratë në qytetet e tyre “nuk duhet të jetë një reflektim i asaj se si duket e gjithë Shqipëria” pasi edhe në vendet “tolerante” si Mbretëria e Bashkuar, ka krime të urrejtjes.
Por ky argument u hodh poshtë nga një gjyqtar i cili tani ka vendosur që gratë mund të qëndrojnë për arsye të të drejtave të njeriut, pasi ato janë “në rrezik të diskriminimit të mundshëm” nëse kthehen.
Avokatët argumentuan se kishte një “lidhje shkakësore” midis orientimit të tyre seksual dhe marrëdhënies së tyre, dhe faktit që ata ishin trafikuar.
U tha se viktimat e trafikimit në Shqipëri “fajësohen dhe stigmatizohen”, gjë që mund të pengojë shanset e tyre për të gjetur punë.
Ata thanë se gratë “nuk kishin besim” në sistemin që ekziston në vend dhe “është e vështirë të shihet se si mund të kthehen të sigurta në Shqipëri”.
Avokatët thanë se ndërsa gratë ishin “shumë të kualifikuara” dhe “të arsimuara”, ato nuk kanë asnjë lidhje me familjet e tyre dhe janë në rrezik të vetëvrasjes si pasojë e asaj që kanë përjetuar në Shqipëri.
Marrë dhe përshtatur nga The Telegraph për Albanian Post