Nis fushata kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk mund të përballohet rritja e çmimeve

LAJME
Nis fushata kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk mund të përballohet rritja e çmimeve
Demokracia
23:05 | 14 Mars 2025

SHARE:

 

 

Pak orë pasi ZRRE-ja njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind duke filluar nga muaji prill, ka nisur një fushatë kundër këtij propozimi. “Asnjecentmeshume” është slogani i kësaj fushate që do të nisë për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.

 

Luan Hasanaj nga organizata Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën ka bërë të ditur se është formuar një grup aktivistësh, i cili ka nisur një fushatë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Kjo iniciativë vjen si reagim ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRrE), e cila ka propozuar që nga muaji i ardhshëm çmimi i energjisë elektrike të rritet për rreth 15 për qind. Propozimi tashmë ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjete sociale, ndërsa shumë qytetarë kanë shprehur shqetësimet e tyre për koston e lartë të jetesës.

Në një postim në Facebook, Hasanaj ka bërë thirrje për mobilizim qytetar kundër këtij propozimi, duke nisur fushatën #AsnjeCentMeShume, përmes së cilës kërkohet të rritet presioni ndaj institucioneve për të mos miratuar rritjen e çmimit të rrymës.

“Miq, po e nisim një fushatë #AsnjeCentMeShume për të kundërshtuar propozimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Arsyet janë të bollshme, secili prej nesh i di”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se rritja e çmimit të rrymës do të rëndojë edhe më shumë mbi qytetarët, duke qenë se shumica e familjeve në Kosovë tashmë përballen me vështirësi ekonomike.

“Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve! Ju lutem ta shpërndani sa më shumë hashtagun #AsnjeCentMeShume dhe të bëhet tag Zyra e Rregullatorit për Energji dhe Qeveria e Kosovës”, ka apeluar ai.

Kjo fushatë është duke marrë mbështetje të madhe në rrjete sociale, me shumë qytetarë që po e ndajnë mesazhin dhe po kërkojnë transparencë më të madhe në vendimmarrjet që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e tyre.

Në anën tjetër, ZRrE ka mbrojtur propozimin e saj, duke argumentuar se rritja e çmimit është e domosdoshme për shkak të kostove të larta të furnizimit dhe investimeve në sektorin e energjisë. Megjithatë, kritikët e këtij propozimi thonë se një rritje e tillë do të dëmtojë më së shumti familjet me të ardhura të ulëta dhe do të përkeqësojë krizën ekonomike në vend.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse fushata #AsnjeCentMeShume do të ketë ndikim në vendimmarrjen e autoriteteve dhe nëse ZRrE do të rishikojë propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike.