Në Komunën e Sokol Halitit, ligji s’vlen: Subvencione pa kritere e pa kontroll

Komuna e Vitisë, e udhëhequr nga kryetari Sokol Haliti i LDK-së, ka shpërndarë subvencione për fermerë dhe OJQ në kundërshtim me kriteret që vet i ka përcaktuar në Thirrjet Publike. Kjo del nga raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2024, shkruan Demorkacia.com.

Gjetjet e auditorit janë shqetësuese. Në tri raste në vlerë prej 128 mijë euro, për subvencionimin e fermerëve me pajisje bujqësore, komisioni vlerësues kishte vendosur kritere të reja që nuk ekzistonin në thirrjen publike,  si sipërfaqja e tokës apo të hyrat nga prodhimtaria bujqësore. Me fjalë të tjera, kriteret janë shpikur në tavolinë pasi thirrja ishte shpallur, në kundërshtim me Rregulloren komunale Nr. 01-013/1706 dhe vet shpalljen publike të datës 15 maj 2024.

Por ka edhe më keq, në tri raste të tjera, me vlerë prej 30 mijë e 900 euro, përfituesit nga radhët e OJQ-ve nuk kishin dorëzuar dëshmitë se përfaqësuesit e tyre nuk janë nën hetime për vepra penale – një kriter i detyrueshëm sipas Thirrjes Publike të 1 marsit 2024.

Sipas ZKA-së, gjithë kjo ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme dhe mungesës së përgjegjësisë në zbatimin e procedurave të qarta ligjore. Për pasojë, subvencionet janë shpërndarë në mënyrë jotransparente dhe me rrezik të lartë për favorizime.

Auditori shton se një praktikë e tillë minon besueshmërinë e proceseve publike dhe se marrëveshjet e subvencionimit duhet të nënshkruhen vetëm kur janë plotësuar të gjitha kriteret e shpallura.

Kryetari Haliti, në mënyrë karakteristike për udhëheqësit komunalë, nuk ka kthyer përgjigje fare për ZKA, ndaj kësaj gjetjeje, duke lënë të kuptohet se shkeljet në Komunën e Vitisë nuk janë as gabime teknike, as rastësi, por mënyrë pune. /Demokracia.com/