Në Gjermani nesër mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare: Kush janë favoritët?

Gjermania të dielën pritet  të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare,, të organizuara pas rënies së koalicionit trepalësh të kancelarit Olaf Scholz dhe sipas sondazheve të opinionit publik, konservatorët kanë mbështetjen më të madhe.

Kjo është  hera e katërt në historinë e fundit që nga Lufta e Dytë Botërore që Gjermania ka mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe më shumë se 59 milionë qytetarë gjermanë do të zgjedhin 630 anëtarë të parlamentit, të cilët do të shërbejnë për një mandat katërvjeçar dhe do të ngarkohen me zgjedhjen e një kancelari dhe një qeverie të re.

Në zgjedhje marrin pjesë 29 parti, por vetëm 10 do të kenë kandidatë në të 16 shtetet federale gjermane.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 18:00, ndërsa rezultatet e exit poll-ve të zhvilluara në vendvotime do të shpallen menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit , ndërsa parashikimet e para zyrtare të rezultateve priten gjatë natës së zgjedhjeve.

Opozita, Unioni Kristian Demokrat i Gjermanisë (CDU) dhe partia e saj simotër bavareze, Unioni Kristian Social (CSU), kanë udhëhequr në sondazhet mbarëkombëtare për më shumë se dy vjet dhe, sipas sondazheve të fundit, kanë 30 për qind të mbështetjes së votuesve.

Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) e Alice Weidel dhe Tina Krupała është në vendin e dytë me 20 për qind mbështetje, e ndjekur nga Social Demokratët (SPD) e Olaf Scholz (SPD) me 15 për qind, duke rënë në vendin e tretë nga vendi i parë që fituan në zgjedhjet e 2021.

Të Gjelbrit kanë mbështetjen e 13 për qind të votuesve, Partia e Majtë ka pesë për qind dhe Demokratët e Lirë (FDP) dhe Aleanca e krahut të majtë Sarah Wagenknecht (BSW) kanë katër për qind, kështu që është e pasigurt nëse do të kalojnë pragun prej pesë për qind për të hyrë në parlament.

Rreth 68 për qind e të anketuarve kanë frikë nga një rënie ekonomike në vend, krahasuar me 48 për qind në sondazhet e mëparshme. Të gjitha sondazhet parazgjedhore i japin një avantazh bindës koalicionit CDU dhe CSU dhe sipas disa parashikimeve, konservatorët mund të fitojnë deri në një të tretën e votave dhe kështu të marrin iniciativën në negociatat e qeverisë dhe kancelarinë për Friedrich Merz, transmeton reporteri.

Thirrja për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani erdhi pasi mosmarrëveshjet mbi ekonominë dhe buxhetin u ngritën në koalicionin e ashtuquajtur “semafori”, i cili kishte qenë në pushtet që nga viti 2021 dhe përbëhej nga socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbërt.

Kjo kulmoi në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar dhe bëri që kancelari gjerman Olaf Scholz të shkarkonte ministrin e financave dhe liderin liberal, Christian Lindner, gjë që çoi automatikisht në rënien e koalicionit qeverisës.