Ministria e Drejtësisë ende nuk ka arritur që të funksionalizojë qendrën e referimit për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale.
Kjo qendër planfikohet të jetë brenda objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ndonëse në shkurt të vitit të kaluar, nga Ministria e Drejtësisë patën thënë se kjo qendër planifikohet të jetë gati brenda 6 muajve, vonesën këtë herë e kanë aryetuar me renovimet që po bëhen në IML, pas djegies së këtij objekti më herët.
“Sa i përket qendrës se referimit për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale e cila është planifikuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Aktualisht Instituti Mjekësisë Ligjore është në proces te renovimit dhe në këtë proces është planifikuar edhe Qendra e referimit për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale. Ky proces i renovimit ka filluar në dhjetor të vitit 2024.”- Nazlie Balaj, Këshilltare politike në MD.
Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thonë se një qendër e tillë është e domosdoshme për shkak të ndikimit në mirëqenien e viktimës.
“Do ti ndihmojë të gjitha palëve që merren me një viktimë të dhunës seksuale përkatësisht duke pasur në qendër viktimën, pra viktimës do ti ofrohen të gjitha shërbimet brenda asaj qendre, jo siç e kemi thënë vazhdimisht që me u bart nga një institucion në tjetrin për dhënie të deklaratave apo marrjes së dëshmisë, apo edhe për ofrimin e mbështetjes psikosociale”, ka thënë Fatmire Haliti- QKRMT.
Tutje Haliti thotë se viteve të fundit është shqetësuese rritja e rasteve të dhunimeve seksuale tek fëmijët, raporton rtv dukagjini.
“Ka qenë e rëndësishme edhe më herët me pas një qendër të tillë duke pasur parasysh numrin e rasteve që ka qenë në rritje viteve të fundit, përkatësisht është shqetësuese numri i fëmijëve, viktima të dhunës seksuale ku ne si organizatë joqeveritare është viti i dytë që ofrojmë shërbime psikosociale, gjatë 2024 kemi pasur 24 raste që kemi trajtuar në vazhdimësi”, ka thënë Fatmire Haliti- QKRMT.
Themelimi i një qendre të tillë, është e paraparë edhe me Protokollin shtetërore, për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, e cila është në fuqi nga viti 2022.
