Përveç dyshimeve mbi Safet e Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, hetimi i SPAK për vrasjen e Fatbardh Liçit, 10 gushtin e vitit 2018 në Shkodër, ka hedhur dritë edhe mbi rolin e një vajze të përfshirë në ngjarje.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo është Eria Ago, e dashura e Safet Bajrit. E reja është arrestuar me kërkesë të SPAK-ut për “përkrahje të autorit të krimit” pesë ditë pas prangosjes së Safet Bajrit. Ndaj saj Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, masë që është kundërshtuar prej saj në Apel.
Eria Ago, e njohur si modele dhe fituese e një konkursi bukurie, dyshohet se pas vrasjes së Liçit ka larguar nga Shkodra Astmer Bilalin, përmes një mjeti të fiksuar nga një kamera sigurie në qytet.
Nga hetimi i SPAK-ut rezulton se mëngjesin e ditës së vrasjes së Fatbardh Liçit, Eria Ago ka udhëtuar nga Tirana drejt Shkodrës në shoqërinë e Safet Bajrit dhe Astmer Bilalit. Në Shkodër Bajri e Bilali kanë përdorur një automjet tjetër “Mercedes” të vjedhur, me të cilin janë afruar te lokali ku po pinte kafe Fatbardh Lici.
Astmer Bilali ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar nga distanca e afërt duke e vrarë në vend. Më pas ata janë larguar drejt Dobraçit, ku edhe kanë djegur mjetin. Sipas SPAK-ut, Safet Rustemi (Bajri) ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Astmer Bilali është larguar drejt Tiranës bashkë me Eria Agon.
Në deklarimet e dhëna në SPAK gjatë hetimit, Eria Ago nuk ka pranuar të ketë përdorur automjetin e Safet Bajrit dhe ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë, ndërkohë që sipas hetimit rezulton të ketë qenë në Shkodër.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, vrasja e Fatbardh Licit, xhaxhait të Ibrahim Licit është motivuar nga hakmarrja e Behar Bajrit ndaj Ibrahim Licit, të cilin e bënte përgjegjës për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana,15 korrikun e vitit 2018. A2 Televizion