Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që ndryshon ligjin zgjedhor në vend. Sipas këtyre rregullave të reja, votuesit do të jenë të detyruar të tregojnë prova shtetësie, si pasaportën, kur votojnë. Po ashtu, votat që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve nuk do të numërohen më.
Ky vendim është pjesë e qëndrimeve që Trumpi ka mbajtur prej kohësh, veçanërisht pas zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat ai vazhdon t’i cilësojë të “vjedhura”, edhe pse nuk ka pasur prova për mashtrim të zgjedhjeve.
Ekspertët paralajmërojnë se këto ndryshime mund të bëjnë të vështirë për miliona amerikanë që të votojnë. Statistikat tregojnë se rreth 146 milionë amerikanë nuk kanë pasaportë, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë dokumente që dëshmojnë shtetësinë.
Shtëpia e Bardhë e mbrojti këtë masë, duke thënë se ajo ka si qëllim parandalimin e votimit nga emigrantët e paligjshëm. Megjithatë, hetimet kanë treguar se ky fenomen është i rrallë dhe nuk ka pasur ndikim në rezultatet zgjedhore, transmeton Klankosova.tv.