Gazetari dhe analisti Imer Mushkolaj ka kritikuar ashpër mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje, dhe në veçanti Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i trajtojnë mediat në Kosovë.
Sipas Mushkolajt, sulmet ndaj mediave janë të qëllimshme dhe bëhen për të kënaqur një pjesë të militantëve të partisë, edhe në kurriz të lirisë së shtypit.
“Njerëzit e VV-së janë të vetëdijshëm që kjo nuk është mënyra e duhur për t’u qasur mediave. Mendoj se këtë e bëjnë me vetëdije të plotë. Kurti dhe njerëzit e partisë së tij e shohin shumë më të rëndësishme që ta mbajnë pjesën e militantëve të lidhur pas vetes, madje edhe me çmimin e sulmit ndaj mediave dhe rënies së lirisë së mediave në indekset ndërkombëtare,” deklaroi Mushkolaj.
Ai theksoi se retorika se “mediat janë armiqësore ndaj VV-së” është e rrezikshme dhe se përdorimi i shprehjeve fyese ndaj mediave, si “jau kanë ndalë taxhinë”, është krejtësisht i papranueshëm.
“Që një kohë të gjatë po thuhet se mediat kanë qasje armiqësore ndaj VV-së, për shkak të një fjale që ata e përdorin dhe që është krejtësisht e papranueshme – ‘jau kanë ndalë taxhinë’. Me këtë logjikë, ne si media do të duhej të ishim mbyllur menjëherë që kur ka ardhur VV-ja në pushtet. Por, për fat të mirë, mediat nuk janë mbyllur, përkundrazi – po hapen të reja dhe po vazhdojnë ta mbajnë veten me gjithë vështirësitë që kanë, dhe ta kryejnë punën e vet,” tha ai.
Mushkolaj kritikoi ashpër idenë që një parti politike t’i konsiderojë mediat si armiq dhe shtoi se për fat të mirë në Kosovë ekziston një kulturë kritike mediatike.
