Mushkolaj: Pritjet e njerëzve para shkurtit 2021 kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha – s’ka pasur reforma

Analisti politik Imer Mushkolaj ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me dështimin për të përmbushur premtime. Sipas tij, pritjet e qytetarëve për ndryshime të thella në fusha kyçe si drejtësia, arsimi dhe shëndetësia nuk janë realizuar.

“Pritjet e njerëzve para shkurtit 2021 kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Prej Kurtit janë pritur reforma në sistemin e drejtësisë, por ato nuk kanë përfunduar. Në arsim ka pasur menaxhim, por nuk ka pasur reforma. Ka pasur investime në aparatura shëndetësore, por nuk ka pasur reforma të vërteta. Nuk ka pasur veprime të mëdha që do të kishin bërë dallimin, si sigurimet shëndetësore apo përfundimi i sistemit informativ shëndetësor”, ka deklaruar Mushkolaj në Debat Plus.

Në lidhje me politikën e jashtme, Mushkolaj kritikoi performancën e ministres Donika Gërvalla, duke e konsideruar një ndër arsyet kryesore për mungesën e njohjeve të reja për Kosovën.

“Asnjë njohje e re nuk ka ndodhur për shkak se në krye të ministrisë nuk është vendosur personi i duhur,” tha më tej Mushkolaj.