Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e drejtuar nga Xhelal Sveçla, ka anuluar dy tenderë publikë përkundër urdhrave të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke ngritur shqetësime për respektimin e procedurave ligjore dhe pavarësinë e institucioneve mbikëqyrëse, shkruan Demokracia.com.
Të dy rastet kanë të bëjnë me tenderë që OSHP-ja i kishte kthyer për rivlerësim, pasi kishte konstatuar shkelje në përdorimin e kritereve të dosjeve të tenderëve. Ekspertët e OSHP-së kishin identifikuar se kriteret e vendosura nga MPB-ja ishin të padrejta dhe diskriminuese, duke kufizuar konkurrencën mes operatorëve ekonomikë. Megjithatë, në vend që të ndjekë urdhrat e OSHP-së dhe të kryejë rivlerësimin, MPB-ja vendosi të anulonte krejtësisht proceset për të dy tenderët.
Anulimi i tenderëve është justifikuar nga MPB-ja me arsyetimin e një “pamundësie për zbatimin e kritereve teknike”. Mirëpo, ky qëndrim po shihet si shmangie nga zbatimi i urdhrit të OSHP-së, i cili është i detyrueshëm për të gjitha institucionet publike.
Gjetjet e D+ në këtë procedurë:
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) me 28 shkurt 2024 inicioi tenderin për vendosjen e shtatë (7) ashensorëve të rinj në disa institucione publike si Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), dhe Agjencinë
Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK). Vlera e parashikuar për këtë kontratë ishte 259,240.00 euro.
Në këtë aktivitet të prokurimit ofertuan dy operatorë ekonomikë, teksa MPB rekomandoi për kontratë ofertuesin. “Ejona Sh.P.K”, që ofertoi me 179,744.44.
Pas publikimit të njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues, MPB publikoi edhe njoftimin për dhënie të kontratës. Me datën 05 qershor 2024, u ngarkua draft kontrata në sistemin elektronik, por me datën 17 korrik 2024, MPB
publikoi njoftimin për anulim të aktivitetit. Në arsyetimin për anulim, arsyeja e anulimit të procedurës së prokurimit
publik u dha “një dispozitë e LPP kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”, ndërkohë si informacion shtesë u cek
se nuk janë plotësuar kushtet sipas kërkesave të paragrafit 2 të nenit 26 të LPP.
Sipas MPB-së, kjo kontratë nuk është nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Administrativ (ZKA), dhe Ministri, për shkak
se gjatë analizës, janë hasur parregullsi dhe lëshime nga njësia e kërkesës, divizioni i prokurimit dhe nga operatori
i rekomanduar për kontratë. Në bazë të kësaj analize, sipas MPB-së, është konstatuar se:
Nuk është kërkuar e as prezantuar autorizimi nga prodhuesi;
Si dëshmi e garancisë (e kërkuar 12 muaj në Dosje të Tenderit) është prezantuar deklarata e operatorit ekonomik;
Nuk është kërkuar e as prezantuar së paku katalogu i ashensorëve.
MPB me këtë vendim dhe arsyetim ka shkelur LPP-në dhe Rregulloren e Prokurimit Publik, e cila në mënyrë decidive parasheh që autoriteti kontraktues obligohet që pas skadimit të afatit kohor për parashtrim dhe shqyrtim të ankesave, të përgatisë draftin e kontratës dhe të nënshkruaj atë brenda 30 ditëve kalendarike.
Legjislacioni në fuqi parasheh mundësinë e anulimit të procedurës së prokurimit në rastet kur një shkelje e ligjit ka ndodhur ose do të ndodhë në procedurën e prokurimit e cila nuk mund të parandalohet përmes amandamentimit të kushteve ligjore të prokurimit si dhe ofertat përmbajnë çmime që tejkalojnë buxhetin.
Në bazë të analizimit të Dosjes së Tenderit, MPB nuk specifikoi se në çfarë mënyre duhet të ofrohet dëshmia e garancisë, ndaj deklarata e operatorit ekonomik plotëson këtë kriter. MPB, në Dosjen e Tenderit nuk kërkoi asnjë lloj autorizimi, e as katalogu nga prodhuesi. Andaj, lëshimet dhe mungesa e vëmendjes gjatë hartimit të kritereve të tenderit nuk përbëjnë arsye ligjore për anulimin e procedurës së tenderimit, kur këto mangësi nuk janë reflektuar në njoftimin e kontratës apo Dosjen e Tenderit. LPP specifikon qartë që autoriteti kontraktues nuk mund të diskualifikojë ose përjashtojë tenderuesit bazuar në kërkesa apo kritere që nuk janë përcaktuar qartë dhe paraprakisht.
Në rastin konkret, anulimi i aktivitetit të prokurimit nga MPB për mungesën e katalogëve, autorizimit nga prodhuesi dhe formës së dëshmisë së garancisë është një shkelje e parimeve të transparencës dhe drejtësisë.
Arsyet e anulimit të procedurës nga MPB janë kërkesat të cilat nuk ishin të specifikuara në dokumentet e tenderit. Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me dispozitat e LPP-së, por ngre pikëpyetje mbi cilësinë e përgatitjes së tenderëve dhe interpretimin e dispozitave ligjore.
Shërbime për dezinfektim, dezinsektim, deratizim për Ndërtesat Qeveritare – Ri tender
Po sipas D+, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) me datë 4 nëntor 2024, publikoi njoftimin për nënshkrim të kontratës për Shërbime për dezinfektim, dezinsektim, deratizim për Ndërtesat Qeveritare (DDD) me operatorin ekonomikë Doctor Exterminator DDD Sh.P. K, me vlerë të kontratës 313,482.10 euro të zhvilluar sipas procedurës së hapur.
Kjo kontratë i paraprinë aktivitetit të parë (Shërbime për Dezinfektim, Dezinsektim, Deratizim për Ndërtesat Qeveritare) të anuluar28, pas shqyrtimit të ankesës nga OShP të parashtruar nga operatori ekonomikë Doctor Exterminator DDD Sh.P.K, ku kriteret e përcaktuara mbi kapacitetin teknik dhe/ose profesional u konfirmuan si diskriminuese dhe kufizuese për konkurrencën e lirë në mes të operatorëve ekonomikë.
Megjithatë, MPB në ritenderimin e aktivitetit të prokurimit ka përcaktuar po të njëjtat kritere të dhënies së kontratës të cilat bien në kundërshtim me rekomandimin e OShP-së. Njëherazi, ky veprim nga ana e autoritetit kontraktues është në kundërshtim edhe me nenin 105, pika 2.10 dhe 2.11 të LPP-së i cili thekson se autoriteti kontraktues është i detyruar që të korrigjojë shkeljen e pretenduar dhe/ose të parandalojë dëmtimin e mëtejmë të parashtruesit të ankesës dhe/ose të ndonjë pale tjetër të interesuar dhe të mënjanoj kërkesat ose kriteret e përfshira në njoftim, ftesë, dosjen e tenderit ose dokumentet.
Për kriteret e vendosura tek kapaciteti teknik dhe profesional, operatori ekonomikë OE Doctor Exterminator DDD Sh.P.K, ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim pranë MPB-së si shkallë e parë ankimore për përmirësim të kritereve të përcaktuar në Dosjen e Tenderit dhe Njoftim për Kontratë. Ndërkaq, më 15 janar 2024 autoriteti kontraktues ka refuzuar si të pa bazuar kërkesën për rishqyrtim ku ka listuar një mori argumentesh se kriteret e vendosura nuk cenojnë integritetin e këtij aktiviteti të prokurimit dhe të njëjtat nuk kanë të bëjnë me diskriminim dhe favorizim të operatorëve ekonomikë.
MPB, në cilësinë e autoritetit kontraktues përpiloi disa kërkesa të cilat pas refuzimit të kërkesave për rishqyrtim, u apeluan në OShP për të dytën herë radhazi. Konkretisht, tek kapaciteti teknik dhe profesional, AK kërkoi një Agronom ose Veterinar ose Ekolog (sipas MBPZHR)30 dhe një teknik të veterinarisë të cilat janë kufizuese dhe diskriminuese në këtë tender, meqë sipas MBPZHR, kompanitë të cilat aplikojnë që të pajisen me leje për ofrimin e shërbimeve DDD, duhet që të kenë kualifikime në: Fakultetin e Bujqësisë-drejtimet: Drejtimi i Përgjithshëm; Drejtimi Prodhimtaria Bimore; Drejtimi Mbrojtja e Bimëve dhe Veterinarisë), Fakulteti i Mjekësisë -Drejtimi i Epidemiologjisë; Fakulteti i Biologjisë, Drejtimi i Ekologjisë.
OShP aprovoi si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik OE Doctor Exterminator DDD Sh.P.K, në lidhje me kriteret e përcaktuara tek kapacitetet teknike dhe profesionale, duke konstatuar se kërkesat e vendosura nga autoriteti kontraktues, që operatori ekonomik të ketë një Agronom ose Veterinar ose Ekolog (sipas MBPZHR)32 dhe një teknik të veterinarisë janë kritere kufizuese dhe se është përgjegjësi e MBPZHR për të përcaktuar profesionet që duhet të ketë operatori ekonomik për licencim për ofrimin e shërbimeve të DDD-së. Për më tepër, paneli shqyrtues ka konstatuar se përmirësimi i Dosjes së Tenderit do të ofroj mundësi më të madhe për pjesëmarrje të operatorëve ekonomik në këtë aktivitet të prokurimit33. Legjislacioni në fuqi për prokurim publik, përkatësisht neni 51 paragrafi 3 definon qartë se të gjitha kriteret e përzgjedhjes duhet të jenë relevante dhe proporcionale me natyrën e tenderit.
Andaj, duke qenë se kriteret e dhënies së kontratës nuk ishin hartuar në përputhje me natyrën e prokurimit dhe nuk garantonin qasjen më të mirë për të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar, OShP mori vendim që për këtë aktivitet të prokurimit të bëhet përmirësimi i Dosjes së Tenderit bazuar në dy raportet e ekspertit shqyrtues. MPB publikoi formularin standard për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara me datën 17 prill 2024 apo 14 ditë pas vendimit të OShP-së.
Pas përmirësimit të kritereve tek kapaciteti teknik dhe profesional, në këtë aktivitet të prokurimit ofertuan tre operatorë ekonomik.
Hapja e ofertave për këtë tenderë është bërë me 07 maj 2024, ndërkaq njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues me anë të të cilit MPB rekomandon për kontratë Doctor Exterminator DDD Sh.P.K është publikuar me datë 21 qershor 2024 apo 45 ditë pas afatit të paraparë ligjor. Kjo meqë rregullat për prokurim publik kërkojnë që procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve, dhe nxjerrja e njoftimit mbi vendimin e AK, duhet të kryhet brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave, vetëm në raste të natyrave komplekse mund të zgjatet edhe për 20 ditë34.
Kundër njoftimit për vendim të datës 21 qershor 2024, GEO Besim A. Zenjullahu B.I & Tresor Home L.L.C i pakënaqur me vendimin, ka parashtruar ankesë në OShP me datë 8 qershor 2024, ndërsa paneli shqyrtues ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e GEO-së duke lënë në fuqi njoftimin mbi vendimin e autoritetit kontraktues.
Njoftimi për nënshkrimin e kontratës, i publikuar më 4 nëntor 2024, vjen 10 muaj pas fillimit të procedurës së prokurimit. Kjo vonesë është në kundërshtim LPP, i cili obligon autoritetet kontraktuese të sigurojnë një mënyrë sa më efikase, transparente dhe të drejtë për shfrytëzimin e fondeve dhe burimeve publike. Nëse procedura do të ishte zhvilluar bazuar në rekomandimin e OShP-së, do të mund të ishte kursyer kohë duke kontribuar në ekonomizimin e procesit dhe përdorimin më racional të fondeve publike. Kjo do të kishte siguruar një realizim më të shpejtë dhe më efikas të kontratës, duke shmangur vonesat të cilat kanë ardhur si pasojë e kritereve të vendosura në Dosje të Tenderit dhe Njoftim për Kontratë. /Demokracia.com/
