Lista Serbe nuk ka arritur të certifikohet në Komisionin Qendror Zgjedhor, ka raportuar Ekonomia Online – ndërsa shkaku për këtë u raportua të kenë qenë thirrjet nacionalist të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek.
EO raportoi se dy anëtarët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi shprehën kundërshtimin për certifikimin e Listës Serbe, ndërsa shqetësimet e njëjta kanë pasur edhe të opozitës.
“Kam rezervat e mia dhe më duhet me i shpreh dhe janë shumë elemente, pra prezantimi i kandidatëve të Listës serbe. Pra asnjëherë nuk përmend Republika e Kosovës por thotë ‘Kosovo i Metohija’”.
“Nuk thotë ‘rrnoftë Kosova por rrnoftë Serbia’. Përfaqësuesit e kësaj liste mbajnë kontakte me pushtetin e Vuçiqit ku shihet edhe Radojiçiqi, ku kanë lidhje me sulmin terrorist në Banjskë dhe së fundmi edhe në Ibër Lepenc”, u shpreh Kurteshi, teksa lëshoi një audio-incizim ku dëgjohet Allek me thirrje kundër Republikës së Kosovës.
PDK ndau shqetësimet e njëjta me Vetëvendosjen, por se rikujtuan se nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pasur vërejtje ose konstatime që subjekti nuk i plotëson kriteret për mos-certifikim.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me anëtarin e VV-së, mirëpo kam një shqetësim tjetër për shkak se rekomandimi i Zyrës për Regjistrim të Partive ka thënë se ky subjekt plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Është bazuar edhe në deklarimet e MPB dhe MPJ dhe të gjithë kanë thënë se subjekti në fjalë i plotëson kriteret. Unë me këtë rast abstenoj deri në definimin e saktë sepse certifikimi i subjekteve duhet ta ketë një konsensus të përbashkët”, u shpreh Elshani.
Çka thuhet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme?
Anipse Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje e jep për fakt të kryer mosçertifikimin e Listës Serbe, duke shkruar: “Me propozim dhe kërkesë të anëtarëve Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, përfaqësuesit e LV, që votuan dhe kundër certifikimit, në KQZ Lista serbe nuk certifikohet si subjekt për zgjedhjet parlamentare 2025. Përfaqësuesit e PDK dhe LDK nuk morën pjesë në votim.”.
Në nenin 17 të këtij Ligji, thuhet se “Zyra shqyrton të gjitha aplikimet për certifikim dhe nëse përcakton se subjekti politik nuk ka plotësuar të gjitha kërkesat e përcaktuara në nenin 16 të këtij ligji, atëherë Zyra brenda dhjetë (10) ditëve pas pranimit të aplikimit për certifikim dërgon një njoftim me të cilin e informon subjektin politik për arsyen ose arsyet pse aplikimi i tij nuk është i mjaftueshëm.”
Pra, hapi i rradhës është njoftimi i Listës Serbe se përse aplikimi i tyre nuk është i mjaftueshëm.
Tjetra, “ Aplikuesi i cili pranon njoftimin sipas paragrafit 5 të nenit 13 të këtij ligji, ka afat pesë (5) ditë pune për të dorëzuar aplikimin e korrigjuar apo një shpjegim që adreson brengat e identifikuara në njoftim”
Pra, ekziston një afat për përgjigje nga Lista Serbe në këtë rast.
Pas këtij hapi Zyra i bënë një rekomandim me shkrim KQZ-së brenda 5 ditëve, pasi ta ketë parë dokumentacionin e plotë. “Pas pranimit të rekomandimit nga Zyra, KQZ-ja e miraton ose refuzon aplikimin për certifikim brenda shtatë (7) ditëve.” – thuhet tutje aty.
Nëse të gjitha këto hapa kalohen atëherë në nenin 17 rregullohet ajo që rregullohet me secilin ligj, e me Kushtetutën e Kosovës. Dyshkallshmëria.
Në këtë rast shkalla e dytë ëshë PZAP e cila duhet të vendos brenda 48 orëve, pasi të ketë kryer punë KQZ.
“Pas vendimit të KQZ-së, Zyra e njofton menjëherë aplikuesin me shkrim rreth statusit të aplikimit dhe në rast të refuzimit, ofron arsyetimin për refuzim dhe e këshillon aplikuesin për të drejtën e tij për t’u ankuar në PZAP brenda dyzet e tetë (48) orëve. PZAP vendos për ankesën brenda dyze e tetë (48) orëve nga pranimi i saj.” – thuhet në ligj.
Ndërkohë nga PDK në KQZ kanë përmendur faktin se Lista Serbe ka kaluar filtrat e MPB-së dhe MPJ-së, andaj deri në një sqarim të plotë PDK abstenon.