Mos-paraqitja e Kurtit në Prokurori, opozita: Mesazh dhe sinjal i gabuar për qytetarët

Opozita ka komentuar mos-paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale. Partitë opozitare kanë deklaruar se ky veprim është mesazh dhe sinjal i keq për qytetarët e Kosovës për anashkalim të sistemit prokurorial dhe gjyqësor të vendit. Kryeministri Kurti nuk u paraqit sot në Prokurorinë Speciale ku ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri deklaroi se Kushtetuta ka përcaktuar pushtetet e ndara.

“Në radhë të parë është një mesazh i keq për qytetarët e Kosovës, në këtë rast për mënyrën se si e trajton organin e akuzës. Dhe mendoj që ashtu siç e ka përcaktuar edhe Kushtetuta, pushtetet janë të ndara. Në këtë rast gjithkush duhet ta kryejë punën e vet, organi i akuzës është pikërisht për të mos lejuar që të ndodhin keqpërdorimet dhe për të luftuar dukuritë negative. Kryeministri është për të zhvilluar vendin, për ta qeverisur vendin. Janë dy institucione të ndara, në këtë rast organi i akuzës me siguri ka diçka që i duhet kryeministri qoftë në cilësinë e dëshmitarit, qoftë në cilësinë e të dyshuarit.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi theksoi se mos-paraqitja e Kurtit për të dëshmuar është sinjal i gabuar.

“Sinjali që dërgohet është sinjal i gabuar. Qytetarëve të Kosovës ju dërgohet sinjali nga kryeministri që ata mund të anashkalojnë Gjykatën dhe Prokurorinë dhe ky është një model i sjelljes në Lëvizjen Vetëvendosje. Modeli i sjelljes në argumentin se në të gjitha rastet kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vet kryeministri kanë qenë të akuzuar për dhunën që kanë ushtruar brenda institucioneve të Kosovës dhe jashtë tij, i kanë tejzgjatur rastet duke i çuar në parashtrim dhe ky po ashtu është një sinjal i gabuar për qytetarët e Kosovës ku drejtësia nuk është dhënë por është parashkruar rasti. Pra, janë vonuar mbi shtatë vite rastet dhe ky është një dëmtim i sistemit të demokracisë”, deklaroi Gashi.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë që të mirëpresë prokurorët në zyrën e tij, për çka Gashi e ka kritikuar këtë veprim.

“Hala më keq, hala më keq se thirret prokurori dhe epërsia politike e ekzekutivit mbi gjyqësorin, në këtë rast mbi prokurorinë është e papranueshme. Është koncept i gabuar, koncepti i sjelljes së tij është i gabuar dhe nënkupton këndvështrimin e vlerësimin e kryeministrit dhe njerëzve të tij për drejtësinë”, shtoi Gashi.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj tha se “askush nuk është mbi ligjin”.

“As zotëri Albin Kurti nuk është mbi ligjin dhe vet deklaratat e tyre se po ftohen në kohë zgjedhjeve kryeministri Albin Kurti që të paraqitet për të dëshmuar, nuk qëndrojnë sepse kemi qenë edhe ne deputetë që kemi pasur ftesa nga Gjykata Speciale për shkak të gazit lotsjellës dhe ju kemi përgjigjur sepse duhet t’i respektojmë organet e drejtësisë”, përfundoi ajo.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Albin Kurti është pritur për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale por, zyra e kryeministrit e ka njoftuar Prokurorinë Speciale se shefi i ekzekutivit, ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe nuk mund të paraqitet.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje tha se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë.