Fituesi i tenderit eshët kompania “MB Group” sh.p.k. me ofertën e tyre në vlere prej 10,833,140.08 euro.
Rezultati është bërë publik sot pas dite në një publikim në E-prokurim.
Më 2 shtator 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpalli një tender me vlerë 15 milionë euro, të barabartë me vlerën e tenderit të dështuar të Komunës së Gjilanit. Titulli i tenderit është: “Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm për rregullimin hapësinor, arkitekturën dhe inxhinierinë, për rindërtimin dhe përshtatjen e Stadiumit në Gjilan, në përputhje me Kategorinë IV të rregulloreve dhe udhëzimeve teknike për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA”.
Demokracia.com ka raportuar dje se, MKRS ka shkelur ligjin, duke mos nxjerrë vendimin me kohë për vlerësimin e ofertave. Më 2 dhjetor 2024, ministria hapi ofertat ku rezultuan 10 kompani në garë. Pas hapjes së ofertave, ministria e udhëhequr nga Hajrulla Çeku kishte obligim ligjor që brenda 30 ditësh të nxirrte vendimin.
Ligji i Prokurimit Publik përcaktonte qartë afatet e vlerësimit të ofertave:
“Procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve nga komisioni vlerësues, dhe nxjerrja e njoftimit mbi vendimin nga AK, duhet të kryhet brenda periudhës më të shkurtër të mundshme dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara, kjo periudhë mund të zgjatet për një afat shtesë prej 20 ditësh”, thuhet në RREGULLOREN Nr. 001/2022 PËR PROKURIMIN PUBLIK.
Cilat ishin kompanitët garë
- Grupi “Aktiv Residence” shpk; “Vllezërit Asllaniu”; “Aktiv” shpk – 12,486,072.9 €
- Grupi “Tehnoburim DD”; “Euro-Besi” shpk – 12,378,058.5 €
- Grupi “Pe-Vla-Ku” Dega në Kosovë; “Roza Komani” – 11,681,045.6 €
- Grupi “Alba Group” shpk; “ATC COM” shpk; “Dajting” shpk – 11,689,602.5 €
- “Raf II” shpk – 12,706,471.7 €
- Grupi “Pepa Group”; “Conex” LLC; “Agri Construction” – 10,408,487.0 €
- “Ada Consulting Group” shpk – 12,236,278.0 €
- “MB Group” shpk – 10,833,140.08 €
- Grupi “Everest” shpk; “Beni Construction” – 11,417,468.15 €
- “Arda Rei Group” shpk – 12,154,761.01 €.
Megjithatë, dy oferta të tjera kishin vlera më të ulëta se ajo e kompanisë së rekomanduar për kontratë, por janë eliminuar me arsyetimin se nuk kanë përmbushur disa kritere. Kompanitë pjesëmarrëse kanë pesë ditë kohë për të apeluar vendimin e ministrisë pranë vetë MKRS-së.
Skandali i procedurës së mëparshme
Ky aktivitet i prokurimit ishte iniciuar nga Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Alban Hyseni. Sidoqoftë, OSHP ka vendosur përfundimisht të anulojë këtë procedurë për shkak të shkeljeve të konstatuara. “Aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e OE N.N.P ‘Euro Construction’ e datës 18.06.2024 lidhur me aktivitetin ‘Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit’. Anulohet aktiviteti i prokurimit. Në afat prej 10 ditësh, AK duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, përndryshe OSHP mund të marrë masa ndaj AK-së”, thuhet në vendim.
Paneli i OSHP-së kishte vendosur të miratojë gjetjet e ekspertit të tyre.
“Në bazë të pretendimeve ankimore, shkresave të lëndës, dosjes së tenderit dhe raportit të vlerësimit nga komisioni, eksperti rekomandon anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe ritenderimin nëse Komuna e Gjilanit ka interes të ritenderojë. Rekomandojmë që kriteret e përzgjedhjes gjatë ritenderimit të jenë më të qarta dhe Autoriteti kontraktues të vlerësojë vetëm mbi këto kritere”, thuhet në raportin e ekspertit, përcjell Demokracia.com.
Për kontratën, grupi i kompanive “Demiri Gartenbau”, “El Bau” shpk, “Bujar Shabani Bi”, “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M” shpk kishte paraqitur një ofertë prej 14,997,804.00 euro. Ndërsa, grupi i kompanive NNP “Euro Construction”, “Beni Construction”, “2T”, “2A Group” dhe “Domid” kishte parashtruar ofertën më të ulët prej 13,274,752.02 euro.
Demokracia.com kishte raportuar se pronari dhe menaxheri i kompanisë “Demiri Gartenbau” është Qëndrim Demiri, ndërsa Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Albana Demiri, është mbesa e tij. Kompania “El Bau” shpk, e cila merr shumicën e tenderëve në Komunën e Gjilanit, ka pronarë Suad dhe Fatlum Pirevën, të cilët janë nipër të pronarit të kompanisë “Demiri Gartenbau” dhe Drejtoreshës së Arsimit.
Pas hapjes së ofertave nga MKRS, shihet se kompanitë që ishin shpallur fituese nga Komuna e Gjilanit nuk kanë konkurruar. /Demokracia.com/