Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e drejtuar nga Hajrulla Çeku, ka nënshkruar disa aneks-kontrata për punë shtesë në projekte të ndryshme, raporton Demokracia.com.
Në total, shtatë aneks-kontrata për punë shtesë janë publikuar të mërkurën në platformën e-prokurimi, në tenderët e Ministrisë së Kulturës. Këto kontrata janë lidhur përmes procedurës së negociatave pa publikim të njoftimit për kontratë me kompanitë që kishin fituar kontratat bazë.
Në shumicën e rasteve, kontratat bazë janë fituar nga ofertuesit me çmimin më të ulët, por pas nënshkrimit të tyre kanë dalë punë shtesë. Ligji për Prokurimin Publik lejon ndryshime deri në 10% të vlerës fillestare të kontratës, por në praktikë, këto raste shpesh ngjallin dyshime mbi cilësinë e projekteve dhe mënyrën se si ato janë planifikuar fillimisht.
Aneks-kontratat janë nënshkruar pak para zgjedhjeve, por janë publikuar në e-Prokurim vetëm sot, në një kohë kur ministri Hajrulla Çeku është në detyrë.
Nga publikimet në e-Prokurim vërehet se kompanitë LIMITPROJECT SH.P.K. dhe FRONI 1 SH.P.K. kanë marrë një numër të konsiderueshëm kontratash nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Lista e aneks-kontratave të publikuara:
Punë shtesë në Ish-Ambulantën e Vjetër – Mitrovicë
Operatorët ekonomikë: LIMITPROJECT SH.P.K.; Rinesa SH.P.K.; DELTA – CCD SH.P.K.
Vlera e punëve shtesë: 48,980.06 euro. Vlera fillestare e kontratëska qenë: 489,980.60 euro.
Punë shtesë në Rivitalizimin e rrugës Marin Barleti – Prizren
Operatorët ekonomikë: LIMITPROJECT SH.P.K.; Rinesa SH.P.K.; DELTA – CCD SH.P.K. Vlera e punëve shtesë: 49,032.96 euro.
Punë shtesë në Rezidencën Dr. Ibrahim Rugova – Prishtinë
Operatorët ekonomikë: LIMITPROJECT SH.P.K.; Rinesa SH.P.K. Vlera e punëve shtesë: 14,471.45 euro. Vlera fillestare e kontratës: 148,038.77 euro.
Punë shtesë në ndërhyrjet restauruese dhe konservuese – Shtëpia dhe Ahuri i Familjes Munik në Prizren.
Operatori ekonomik: N.N. 100% Design Sh.p.k. Vlera e punëve shtesë: 16,193.40 euro.
Punë ndërtimore për konservimin dhe restaurimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës – Prishtinë
Operatorët ekonomikë: FRONI 1 SH.P.K.; Çeta-General Invest Group. Vlera e kontratës së dytë: 49,950.00 euro.
Punë shtesë në kontratën me nr. 207-24-1161-5-1-1-C398 – Shtëpia e Haxhi Ahmetit (Rajoni i Vitisë)
Operatorët ekonomikë: IDEAL PARTNERS SH.P.K.; FRONI 1 SH.P.K.; Valdrini SH.P.K. Vlera e punëve shtesë: 7,688.00 euro.
Punë shtesë në kontratën me nr. 207-24-1161-5-1-1-C398 – Shtëpia e Heset Mehmetit (Rajoni i Vitisë)
Operatorët ekonomikë: IDEAL PARTNERS SH.P.K.; FRONI 1 SH.P.K.; Valdrini SH.P.K. Vlera e punëve shtesë: 6,892.00 euro.
Punët shtesë shpesh dalin si pasojë e planifikimit të mangët ose përshkrimeve të paqarta në kontratat fillestare, duke krijuar hapësirë për kosto shtesë pas shpalljes së fituesit. Kjo praktikë ngre dyshime mbi mënyrën se si përgatiten projektet dhe nëse ofertat më të lira po përdoren si strategji për të fituar tenderët, për t’u pasuar më pas me rritje të buxhetit përmes aneks-kontratave. Ndërkohë që ligji lejon punë shtesë deri në 10% të vlerës fillestare, ky fenomen mund të sinjalizojë mungesë mbikëqyrjeje ose keqmenaxhim të projekteve publike. /Demokracia.com/