Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike që gjatë fushatës zgjedhore t`i mbrojnë të dhënave personale të qytetarëve.
Përmes një komunikate për medie, AIP-ja ka bërë me dije se mbrojtja e të dhënave është obligim ligjor.
Kjo agjenci ka treguar se ka pranuar ankesa të qytetarëve ndaj partive politike.
“Në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe ushtrimin e mandatit të saj për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kërkon nga Partitë Politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025. Në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit, përkatësisht mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, Agjencia për Informim dhe Privatësi në vitet e fundit ka pranuar ankesa të adresuara nga qytetarët ndaj partive politike për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në mënyrë të paautorizuar, duke aplikuar marketingun e drejtpërdrejtë, të cilat raste, janë trajtuar përkitazi me ligjin”, është thënë në komunikatën për media.
Agjencia ka përmendur shqetësimet e qytetarëve nga partitë politike duke i thirrur ata në telefon.
“Për të siguruar zbatimin e ligjit, për mbrojtjen e të dhënave personale dhe njëkohësisht për të shmangur çdo veprim të Agjencisë kundrejt Partive Politike dhe subjekteve të përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos ekspozuar të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak. Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore, të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore”, është thënë në komunikatën e AIP-së.
