Mbrojtje e aferave korruptive, sulme ndaj Prokurorisë e mediave – Intervista plot mllef e Kurtit në RTK

Mbrojtje e aferave korruptive, përkrahje për ish-kryeshefin e KEK-ut, sulme ndaj Prokurorisë, kontradikta flagrante e deri të mllefi i hapur ndaj mediave – këto qëndrime, në vija të trasha, e karakterizuan paraqitjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në emisionin “RTK Prime”.

Kurti nisi intervistën me pretendimin e zakonshëm për “rritje impresive ekonomike”, ndonëse mes viteve 2009-2019, mesatarja e rritjes ekonomike ishte më e lartë se ajo e viteve 2022-2024. “Kemi pasur rritje impresive ekonomike në këto katër vite mesatarja ka qenë gjashtë për qind e bruto produktit vendor.” – tha Kurti.

Te çështja e punëssimit, në përpjekje për të paraqitur një imazh pozitiv të qeverisjes rreth çështjes së punësimit, përfundoi duke rënë në një spirale kontradiktash.

Ndonëse fillimisht pretendoi rritje të punësimit përgjatë katër viteve të fundit, pranoi se rënia e papunësisë në Kosovë është rezultat i “formalizimit të tregut të punës” dhe se migrimi mund të ketë pasur gjithashtu ndikim.

“Ka ndikuar formalizimi i vendeve të punës, mund të ketë ndikuar edhe migrimi por ai ka ndikuar më shumë në të kaluarën. Unë besoj që nuk ka migrim edhe për shkak të krizë që po kalon Bashkimi Evropian.” – tha Kurti gjatë një interviste në RTK.

Sulme ndaj Prokurorisë

Zemërimi i Kurtit nisi kur u pyet për hetimet për afera korruptive që përfshijnë ministrat e tij.

Ndonëse refuzoi të flasë rreth këtyre hetimeve, kreu i ekzekutivit nuk ngurroi të vazhdonte sulmet e ashpra ndaj prokurorisë, duke e akuzuar atë për përfshirje në “persekutim”.

“Pati disa mësymje të Prokurorisë tek ministrat tanë, dhe në fund përfunduan në rastë procedurale që do të duhej të ishin civile, administrative, jo penale. Por pikërisht për të arsyetuar vetën filloj një lloj persekutimi. Paramendoni, po të kishte pasur korrupsion te ne çka do t’na bënin. Këto na i kanë bërë duke mos pasur korrupsion.” – tha Kurti.

Mbrojtja e Nagipit…

Qëndrimin me kontravers në të gjithë intervistën, kreu i qeverisë e ruajti për Nagip Krasniqin, ish-krye ekzekutiv i KEK-ut, të cilit iu ngrit edhe aktakuza e dytë nga Prokuroria Speciale.

Kurti i quajti “sulm” aktakuzat ndaj ish-drejtorit, duke e portretizuar atë si viktimë të suksesit të tij.

“Drejtori, kryeshefi Krasniqi 105 milionë euro fitimin KEK-ut në vitin 2022, ky i ka çmendur kundërshtarët tjerë një pjesë e madhe e të cilëve janë në prokurori, dhe ky sulm që është bërë ndaj drejtorit është bërë për shkak të suksesit të tij, jo për shkak të dështimit të tij, dhe tash rasti është komplet procedural, jo i ke nënshkrua kontratat ose dokumentet e caktuara me kohë ose jo. Çështje procedurale.” – tha ai.

Mllefi i hapur ndaj mediave

Përballë pyetjes rreth nepotizmit të shfrenuar gjatë katër viteve të fundit, Kryeministri Kurti u hodh në kundërsulm, duke kritikuar jo vetëm pyetjen, por edhe vetë integritetin e mediave online në Kosovë.

“Titujt… në cilat portale. Këta janë tituj të portaleve. Ne jemi në televizion publik. Portalet sot në Kosovë… me të vërtetë duhet të pyesesh së kush është pronari. Prandaj ne edhe mendojmë që në Kosovë ka nevojë të bëhet Byroja për konfisimin e pasurisë së pajustifikueshme. Çfarë titujsh po shfaqen në portale, me m’i sjellë mu si pyetje në Televizion Publik nuk po më duket në rregull.” – tha ai.

Kurti nuk u ndal me kaq, duke drejtuar gishtin drejt portaleve private në përpjekje për të diskredituar integritetin e tyre: “Shumica dërrmuese e sulmeve të portaleve private, jo publike, janë për shkak se janë kundër Qeverisë. Për shkak se janë për ata që kanë qenë para neve.” – vazhdoi sulmet Kurti.