Mbrojtja e Veselit kundërshton pyetjet e trupit gjykues ndaj Bashotës: Po përpiqeni të dilni në përfundimin se Shtabi i Përgjithshëm kishte përgjegjësi kolektive

Avokati Rodney Dixon i cili udhëheqë ekipin mbrojtës të Kadri Veselit ka kundërshtuar pyetjet e trupit gjykues të bëra nga gjyqtari Mettraux për dëshmitarin Sokol Bashota.

Ai tha se sipas tyre, trupi gjykues po përpiqet që të dal në përfundim se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur përgjegjësi kolektive dhe kjo është e ngjashme me qëndrimin e ZPS-së lidhur me Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kundërshtimin e kam në lidhje me pisën aktuale të pyetjeve që po bëni që sipas nesh ju po përpiqeni të dilni me përfundimin se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur përgjegjësi kolektive, Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në Shtabin e Përgjithshëm. Kjo është e ngjashme me qëndrimin që po mban prokuroria kur flet për Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale. Kjo është  një prej arsyeve që po kundërshtojmë ne, pikërisht mënyra se si po i bëni pyetjet”, tha Dixon.

Sipas tij, pyetjet e gjyqtarit janë sugjestionuese dhe orientuese. Dixon e luti gjyqtarin që të mos bëjë pyetjet në këtë formë pasi sipas tij duket se tashmë kanë dal me një qëndrim.

Megjithatë, kundërshtimi i Dixon u rrezua nga trupi gjykues duke u arsyetuar se çështjen e përgjegjësive kolektive e kanë ngritur edhe palët e tjera.

“Nuk e ka ngritë trupi gjykues për herë të parë çështjen e përgjegjësive kolektive. E kanë ngritur edhe palët e tjera dhe thjeshtë po e shtjellojmë me teje. E rrezojmë kundërshtimin tuaj”, tha kryegjyqtari.

Vlen të theksohet se kundërshtimi i Dixon erdhi pasi Mettraux u fokusua në disa prova materiale duke përfshirë edhe librin e Jakup Krasniqit ku thoshin se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë i organizuar në frymën e përbashkët dhe kolektive. /BetimipërDrejtësi/