Mbi 476 mijë kilogramë mjete piroteknike kanë hyrë në Kosovë

Gati një milion euro është vlera e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve që Kosova ka importuar. E kritika ka për mungesën e organizimin dhe strategjisë së përdorimit të tyre.

Llogariten si simbol i festave të fundvitit.

Për fishekzjarrë dhe mjete piroteknike, shpenzohen mijëra euro në import të tyre.

Deri në javën e parë të muajit dhjetor të këtij viti, në Kosovë kanë hyrë mbi 476 mijë kilogramë mjete piroteknike.

Vlera e tyre arrin shifrën prej 868 mijë e 633 euro.

Janë dy vende që kryesojnë listën se nga vijnë këto mjete shpërthyese që përdoren në raste festash.

“Importi nga Kina – 441 mijë e 909 kg.

Importi nga Shqipëria – 33 mijë e 760 kg.”

Por po kritikohet mungesa e organizimit të përdorimit të këtyre mjeteve.

“Nuk kemi ende një organizim, se zakonisht në vendet perëndimore bëhet në vende të hapura, në parqe dhe vende të ndryshme në qytete ku mblidhen të gjithë fishekzjarrët, mblidhen qytetarët, kontrollohen dhe nuk shkaktohet asnjë viktimë. Ndërsa, ne nuk kemi një organizim të tillë, nuk kam parë në Kosovë. Dhe mjetet piroteknike dhe fishekzjarrët përdoren nga njerëz të paautorizuar dhe pa pasur njohuri të mjaftueshme për to”, tha njohësi i sigurisë, Avni Islami.

Përdorimi në masë të madhe i mjeteve piroteknike, vlerësohet se përpos që shkaktojnë ndotje, ndërhyjnë edhe në zinxhirin ushqimor të njerëzve.

“Metalet e rënda depozitohen në tokë dhe futen në ujë, dhe në momentin e futjes në ujë hyjnë shumë lehtë në ciklin e zingjirit ushqimor dhe kësi soj na kthehet  prapë në tryezën tonë. Prandaj, nevojitet një strategji për zvogëlimin e përdorimit të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve”, tha profesori i shkencave të mjedisit, Sami Makolli.

Vitin e kaluar, në Kosovë kishin hyrë 50 mijë kilogramë mjete piroteknike më pak se këtë vit./teve1/