Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka komentuar reagimin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku rreth çështjes së formimit të qeverisë së re të Kosovës.
Lushaku-Sadriu, që është edhe kryetare e Forumit të Gruas në LDK, qeverinë aktuale e ka quajtur “qeveri bllokadash”.
Këtë epitet ia dha pas ndalimit të punimeve të sotme në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
“Qeveri bllokadash! Ministri Hajrullah Çeku sot komentoi për fituesit e zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë dha urdhër për t’i ndaluar punimet në projektin e Sheshit ‘Xhorxh Bush’ në Prishtinë”, tha zyrtarja ajo.
Të jesh fitues i zgjedhjeve, Lushaku-Sadriu tha se “nuk do të thotë të kesh të drejtën të bllokosh projekte në nivele komunale, mbasi partia jote nuk qeveris në atë komunë”.
“Ky veprim i Ministrit Çeku tregon më së miri se si e kuptojnë pushtetin në VV: pra, si një mundësi për të bllokuar çdo iniciativë dhe projekt të partive të tjera, qoftë edhe nëse me këtë i ndëshkojnë qytetarët e këtij vendi, në këtë rast të kryeqytetit të Kosovës”.
“Fakti që ata e përkthejnë pushtetin në një mjet për të penguar zhvillimin e projekteve për qytetarët e Kosovës është një tregues i qartë i mënyrës se si kjo Qeveri e Vetëvendosjes e përdor pushtetin për interesa të ngushta partiake”.
“Kjo është një dëshmi e plotë e mentalitetit që dominon në VV: bllokada dhe pengesa për çdo iniciativë që nuk është e tyre. Për keqardhje”, tha Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu. /Klankosova.tv