Arsyetimin e drejtorit të shkollës “Ardhmëria” në Ramoc të Gjakovës, për faturë 6 mijë euroshe të shpenzimit të pakontrolluar të ujit që erdhi për shkollën, nuk po e pranon mësuesi Lush Krasniqi, i cili mbeti pa punë, për shkak të konflikteve që kishte me drejtorin e shkollës, Lekë Hajdaraj.
Krasniqi thotë se drejtori nuk është i pa mëkat, madje ai drejton gishtin që ai e di të vërteten e plotë të këtij shpenzimi të ujit.
Madje sipas arsimtarit, edhe kallëzimi penal ndaj tij për gjoja ngacmim seksual ndaj kolegeve u bë nga drejtori i ri i shkollës i cili sipas Krasniqit, erdhi me qëllim që ta largonte nga puna.
Krejt akuzat si për padinë e ashtu për humbjen e tonelatave të ujit nga shkolla “Ardhmëria”, drejtori Lekë Hajdaraj nuk ka dashur t’i komentojë.
Krejt çka Hajdaraj i tha Kiksit është se këto janë vendime të komunës dhe që s’ka kohë të merret me këtë çështje.
Madje sipas tij, rasti është qesharak andaj nuk dëshiron të merret “me këtë sport”.
Historia e çuditshme e faturës gati 6 mijë euro për shpenzimin e ujit në një shkollë të vogël në një fshat të Gjakovës erdhi në muajin nëntor të 2024-ës.
Fatura ishte mijëra herë më e lartë se ajo e muajit paraprak, tetorit, e cila ishte vetëm 14 euro.
Në një përgjigje për emisionin, ata thanë që ujëmatësi është manipuluar nga dikush.