Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, tha se kufiri i Kosovës me Serbinë, është më i vështirë për tu mbrojtur në përpikmëri gjatë gjithë kohës.
Kjo pasi sipas tij, ndikon relievi malor, transmeton Klankosova.tv.
Mirëpo, shefi i qeverisë shton se kapacitetet janë duke u ngritur, e për këtë Kosova ka bashkëpunimin e vendeve mike e aleate, të cilat janë anëtare në NATO.
“Kufiri që kemi me Malin e Zi, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut është më i shkurtës se kufiri që kemi me Serbinë, i cili është përkatësisht me reliev malor, e që kemi vështirësi në ruajtjen e tij të përpiktë gjatë tërë kohës. Gjithsesi ne po ngrisim kapacitetet tona, për këtë kemi bashkëpunim me vendet partnere, aleate, që janë anëtare të NATO-s, e ku ne te Kroacia shohim një partner kyç. Njëra prej marrëveshjeve që kemi bërë, është ndërmjet Akademisë Policore të Kroacisë dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, ku natyrisht që do të ngriten kapacitetet, e do të shkëmbehen përvojat”, tha Kurti.
Ai thotë se sulmi i 29 nëntorit në kanalin e Ibër Lepencit, ka natyrë më ndryshe se sulmet e mëparshme, pasi sipas tij tani në shënjestër është popullsia civile, jo më vetëm policia e objektet komunale.
“Ky sulm i fundit që është bërë nga profesionistë terroristë, në kanalin Ibër Lepenc,është i ri për nga natyra, në kuptimin që tani është shënjestruar popullsia civile. Më herët kemi pasur sulme ndaj policisë, sulme ndaj ndërtesave zyrtare komunale, por kësaj radhe nën shënjestër është popullsia civile”.